Filmi shqiptaro-rus që ktheu Gjirokastrën në sheshxhirim përfundon me sukses

0
92

Prej 40 ditësh ,që prej muajit nëntor ,Gjirokastra u kthye në shesh xhirim. Ishte artisti i famshëm rus, Juri Arabov, bashkautor me Kadarenë të cilët realizuan shkrimin e skenarit të filmit “Gjirokastra” . Një nga arsyet e kësaj zgjedhjeje lidhet sigurisht me origjinën e shkrimtarit Ismail Kadare. Filmi artistik shqiptaro – rus “Gjirokastra” vjen si bashkëpunim midis produksionit shqiptar “Albimazh” dhe atij rus “Fortunafilms” me producentët respektivë, Loreta Mokini dhe Ella Arkangelskaia. Financimi i tij mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës së Federatës Ruse.

Ngjarjet e filmit lidhen me vuajtjet që kaluan me dhjetëra familje shqiptaro-ruse pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1961.

Juri Arabov, veç bashkautorësisë në skenar është edhe regjisori i filmit. Ai është një personalitet botëror në fushën e kinematografisë, i nderuar me çmime ndërkombëtare si skenarist. Aktualisht ushtron detyrën e shefit të katedrës së skenarit në Akademinë e Arteve të Moskës.

Aleksandër Sokurov, Drejtori Artistik i Filmit, është gjithashtu një regjisor me famë ndërkombëtare i vlerësuar me shumë çmime në festivalet e filmit në Venecia dhe Kanë. Skenograf i filmit është Valeri Arkipov, shef i katedrës së skenografisë në Akademinë e Arteve Moskë., ndërkohë që pozicioni i drejtorit të fotografisë dhe kameramanit i është besuar Arunas Braznauskas. Në stafin shqiptar të filmit bëjnë pjesë Artan Malaj, Mateo Cingu, Lorin Terezi, Bernard Laze, Arba Maçi, Krist Dushi, Luan Shkodra e Berina Kokona. Drejtor ekzekutiv për palën shqiptare është Dritan Huqi.

Çifti shqiptaro-rus interpretohet nga aktorët Besmir Bitraku dhe Polina Liske.

Aktorja ruse Polina Liske, e cila interpreton në film rolin e Katerina Andrenjevës, ka realizuar role të spikatura në kinematografinë ruse si “Ëndrra e Katerinës”, “Dido dhe Aenas” dhe “Konspiracioni i shqisave”. Në film interpretojnë gjithashtu edhe aktorë të njohur shqiptarë si Tinka Kurti, Kastriot Çaushi, Myzafer Zifla, Loredana Gjeci, Kliti Roshi, Viktor Çaro, Jorgaq Tushe, Kudret Alikaj, Gent Hazizaj, Artan Imami, Artan Islami, Neritan Liçaj, Apostol Kaci etj.

Vendet ku është xhiruar filmi janë pikërisht ato më karakteristiket si tek “Zekatet”, në kompleksin muzeal “Qafa e Pazarit” dhe në Qendrën Kulturore “Musine Kokalari”,kështjella e qytetit dhe Parku Arkeologjik i Antigonesë.

Filmi “Gjirokastra” trajton temën e ashpërsisë me të cilën diktatura goditi familjet e krijuara mes martesave ruso-shqiptare.Filmi pritet të shfaqet së shpejti në kinematë botërore.

Shkruaj nje koment