Fjalimi i berberit në filmin ‘Diktatori i madh’ (Charlie Chaplin, 1938).

0
334
Më vjen keq, por unë nuk dua të jem perandor, s’është punë për mua. Unë s’dua as të pushtoj as të drejtoj njeri. Do doja t’i ndihmoja të gjithë sa më shumë të mundesha, çifutët, të krishterët, paganët, të zinjtë e të bardhët. Të gjitha ne qëniet njerëzore do të donim t’i ndihnim po të mundeshim, qenia njërëzore është ndërtuar kështu. Ne duam t’i japim lumturinë të afërmit tonë, jo ta shtyjmë në të keqe. S’duam as të urrejmë as të poshtërojmë njerëz në këtë botë.
Secili prej nesh ka vendin e tij në tokë, e natyra është e pasur, ajo mund t’i ushqejë të gjitha qëniet njerëzore. Të gjithë mund të kemi një jetë të bukur dhe të lirë por këto i harrojmë.
Lakmia e ka helmuar shpirtin e njeriut, e ka bllokuar botën me urrejtje, na ka bërë të biem në gropë të varfërisë e në rrëketë e gjakut. Edhe shpejtësinë që e zhvilluam, e zhvilluam për t’u mbyllur në vete. Makineritë që i kemi me bollëk, na kanë lënë në batakun e pakënaqësive. Dija na bëri të ktheheshim në cinikë. Jemi kthyer në jo-njerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet. Jemi mekanizuar shumë, e na mungon njerëzillëku.
Jemi shkolluar shumë por na mungon zemërbutësia dhe mirësjellja. Pa këto cilësi njerëzore, jeta s’është veçse dhunë dhe gjithçka është e humbur.
Avionët edhe radiot na afruan me njëri-tjetrin por këto shpikje nuk do ta gjejnë kurrë kuptimin e tyre të vërtetë veçse në lumturinë e qënies njerëzore, veçse në vëllazërimin, në miqësinë dhe bashkimin e gjithë njerëzve.
Në këtë moment zëri im arrin miliona njerëz në gjithë botën, miliona burra, gra e fëmijë të dëshpëruar. Viktima të një sistemi që i torturon të dobëtit dhe i burgos të pafajshmit.
Ja ku ua them te gjithë atyre që kanë vesh të më dëgjojnë : Mos u dëshpëroni ! Mallkimi që është mbi ne s’është veçse produkt kalimtar i sjelljeve, zemërimi i atyre që kanë frikë nga progreset që arrihen nga Njerëzimi. Urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin, e pushteti që ua kishin marrë njërëzve do t’i kthehet sërish njerëzve. E derisa për lirinë ende e japin jetën, ajo s’ka për t’u mposhtur.
Ushtarë, mos ua lini shpirtin pushtuesve, është një minoritet që ju përçmon dhe që ju do skllevër, që ju do gjithë jetën në disiplinë, ju tregon ç’të bëni e ç’të mendoni, që ju drejton, ju manovron, që ju përdor si mish për top e ju trajton si bagëti.
Mos ua jepni jetën këtyre qenieve jo-njerëzore, këtyre njerëzve-makineri, me një makinë në vend të kokës dhe një tjetër makineri në vend të zemrës.
Ju s’jeni makineri !
Ju s’jeni skllevër !
Ju jeni njerëz, njerëz me gjithë dashurinë e botës në zemër.
Ju s’keni urrejtje, veçse për atë që është jo-njerëzore dhe që nuk është e bërë prej dashurisë.
Ushtarë mos luftoni për skllavërimin por për lirinë.
Ju o njerëz e keni pushtetin : pushtetin për ta bërë jetën të lirë e të bukur, fuqinë për ta berë jetën aventurë të mrekullueshme.
Pra në emër të demokracisë, ta përdorim këtë pushtet. Duhet të bashkohemi të gjithë, duhet të luftojmë të gjithë për një botë të re, botë humane e cila do t’ua japë të gjithëve mundësinë të punojnë që do t’ia sjellë rinisë të ardhmen dhe të moshuarve sigurinë.
Të ligjtë ju kanë premtuar shumë gjera që ju t’ua jepnit pushtetin: ata gënjejnë. Ata s’i kanë mbajtur premtimet e tyre të mrekullueshme, asnjëherë s’do t’i mbajnë. Diktatorët shfaqen me marrjen e pushtetit, dhe bëjnë skllevër popujt.
Ndërsa neve na duhet të luftojmë për të përmbushur premtimet e tyre. Na duhet të luftojmë për të liruar botën, për t’i shkatërruar kufijtë dhe përmbysur dallimet racore, për t’i dhënë fund njëherë e mirë lakmisë, urrejtjes dhe jo-tolerancës. Na duhet të luftojmë për të ndërtuar një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe progresi do t’i shpien njerëzit drejt lumturisë.
Ushtarë, në emër të Demokracisë, të bashkohemi të gjithë !
Ana, më dëgjon ? Kudo që të jesh, hapi sytë! Hapi sytë Ana! Retë po zhduken! Dielli shpon! Ne po dalim nga terri për të gjetur dritën ! Duhet të shkojmë drejt një bote të re, drejt një bote më të mirë, ku njerëzit do të dominojnë lakminë e tyre, urrejtjen, brutalitetin. Hapi sytë Ana ! Shpirti i njeriut mori më në fund flatra dhe po nis të fluturojë. Ai fluturon drejt ylberit, drejt dritës së shpresës.
Shih lart, Ana ! Atje tej !

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here