FMN rrit në 3.8% parashikimin e rritjes ekonomike për Kosovën

0
64

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që Kosova të ketë rritje ekonomike prej 3.8% për vitin 2023. Huadhënësi global ka njoftuar se ka rritur projeksionin nga prilli me 0.3%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin e “Perspektivës Globale për Tetor 2023”, ku janë prezantuar projeksionet e fundit për rritjen ekonomike të Kosovës dhe zhvillimet e tjera ekonomike globale.

Në raportin e FMN-së për Perspektivën Globale të tetorit, theksohet se “rimëkëmbja globale mbetet e ngadaltë”.

Parashikimi bazë i raportit të fundvitit është që rritja globale të ngadalësohet nga 3.5% në 2022 në 3.0% në 2023 dhe 2.9% në 2024.

Raporti i FMN-së gjithashtu parashikon rënien e rritjes globale në nivel botëror.

Sipas projeksioneve, rritja ekonomike botërore do të ngadalësohet nga 3,5% në 2022 në 3% këtë vit dhe 2,9% vitin e ardhshëm, një rënie prej 0,1 pikë përqindjeje për vitin 2024 nga korriku.

Kjo tregon se ekonomia globale po përjeton sfida nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë pasojat e pandemisë dhe konfliktet në botë.

Ekonomitë e zhvilluara pritet të ngadalësohen më tej. Projeksionet e FMN-së tregojnë një zvogëlim të rritjes ekonomike nga 2.6% në vitin 2022 në 1.5% në vitin 2023 dhe 1.4% në vitin 2024.

Inflacioni pritet që të ngadalësohet për 4.7% në 2023 nga 11.7% nga viti paraprak, para se të bie në 3.1% më 2024.

Nëse i kthehemi situatës së Kosovës, në raportin e FMN-së, për dallim nga raporti i prillit ku parashikohej rritje ekonomike prej 3.5%, në raportin e tetorit kreditori global e ka rritur projeksionin në 3.8%.

Projeksionet janë pozitive edhe për inflacionin, i cili pritet që të ngadalësohet për 4.7% në 2023 nga 11.7% nga viti 2022.

Kujtojmë se viteve të fundit Kosova është përballur me një sërë sfidash në fushën e zhvillimit ekonomik. Ndikuar edhe nga situata post-pandemike e lufta në Ukrainë, Kosova, ndër vendet më deficitin më të madh tregtar e një ekonomi të euroizuar, iu ekspozua ndjeshëm krizës globale.

Me gjithë sfidat e shumta me inflacionin, stagnimin drastik të rritjes reale ekonomike gjatë vitit të kaluar, realizimin e ulët të investimeve kapitale dhe rëndimin e deficitit tregtar, “rritja ekonomike e Kosovës” ishte një nga “argumentet” e përdorura më së shpeshti nga qeveria Kurti.

Në tremujorin e dytë të vitit 2022, rritja ekonomike e Kosovës u frenua në 2.1%, duke shënuar nivelin më të ulët të rritjes që nga viti 2014 nëse përjashtojmë vitin 2020, kur ekonomitë botërore po përjetonin goditjen e një pandemie që iu shkaktoi shumë shteteve një kolaps të përkohshëm.

Sfidat e mëdha në tregun punës, të karakterizuara me një shkallë të lartë të papunësisë, ekonomi joformale të konsiderueshme dhe pabarazi në politikat dhe praktikat e punës, janë disa nga sfidat e tjera me të cilat vendi vazhdon të përballet sipas raporteve ndërkombëtare, në veçanti ai i Departamentit të Shtetit për “Klimën e Investimeve”.

Shkruaj nje koment