“Follow” çon ne pranga dy persona

Gjirokastër

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “FOLLOW”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Transportonte tre emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari. Vihet në pranga edhe një 21-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor i tij.

Sekuestrohen një automjet, dy aparate celulare dhe një shumë parash.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “FOLLOW”, në kuadër të të cilit, në bazë të informacioneve policore, është goditur një tjetër rast i aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë të shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 29 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, duke transportuar me një autotomjet tip “Volkswagen”, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Gjithashtu, në vijim të hetimeve u ndalua si bashkëpunëtor i dyshuar, shtetasi A. N., 21 vjeç, banues në Sarandë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, dy aparate celulare dhe një shumë parash.

Materialet në ngarkim të këtyre dy shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment