Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami, ka zhvilluar një vizitë në SHBA ku ka qenë pjesë e një delegacioni prej 13 drejtuesish vendorë nga e gjithë Shqipëria. Zonja Rami si dhe 12 kryetarët e bashkive në vend përfshirë edhe atë të Përmetit Niko Shupulin, kishin ftesë për pjesmarrje nga Qendra “Open Gov Hub” me qendër në Arlington të Virxhinias.
Prezenca e zonjës Rami në Arlington të Virxhinias apo dhe në kryeqytetin amerikan Washington D.C. kishte për qëllim pjesmarrjen në një trajnim studimor unik për të mësuar format dhe mënyrat sesi t’i bëjnë qeveritë e tyre më të hapura, më afër qytetarëve apo dhe llogaridhënien para zgjedhësve.
Vizita është bashkëorganizuar dhe bashkëplanifikuar me Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë që përfaqëson të 61 njësitë vendore, ka shërbyer për t’u ofruar drejtuesve të njësive vendore, mundësi për trajnim, rrjetëzim dhe zhvillim.
Delegacioni i kryetarëve të bashkive nga Shqipëria, ka marrë pjesë në një seri eventesh, takimesh dhe trajnimesh prej dative 21-25 mars që kanë pasur në fokus reformat e ndërmarra nga qeveria e Washington D.C. (Bashkia e Washingtonit).
Për Jugunews.net zonja Rami shprehet se kjo vizitë në SHBA, ka shërbyer mjaft pasi eksperienca amerikane për qeverisjen vendore është shembulli më i mirë që vjen nga stadi më i lartë i demokracisë botërore sic është SHBA.