Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami, ka pritur mesditën e sotme në një takim të vecantë, ambasadorin italian të akredituar në Republikën e Shqipërisë Antonio Cutillo.
Zonja Rami e ka njohur ambasadorin italian me sfidat që ka Bashkia e Gjirokastrës në sektorin e turizmit ku është një aset i pazëvendësueshëm i qytetit të gurtë.
Pjesë e bisedës mes zonjës Rami dhe ambasadorit italian Cutillo, kanë qenë tema të ndryshme e sidomos raporti i hershëm që ka egzistuar mes Bashkisë së Gjirokastrës dhe Italisë në dobi të përmirësimit të klimës së biznesit dhe të investitorëve italianë.
Zonja Rami ka ftuar ambasadorin italian Cutillo të ndikojë në vazhdimin e bashkëpunimeve të reja të cilat kanë për qëllim zhvillimin e shpejtë turistik dhe ekonomik të qytetit të gurtë.
Nga ana e tij ambasadori italian Cutillo, ka cmuar rolin e zonjës Rami në zhvillimin e pandërprerë të raporteve mes rajonave italiane dhe Bashkisë së Gjirokastrës në tre vitet e fundit.