Përvjetori jubilar i Luftës së Mashkullorës, deputetët e Gjirokastrës e braktisin.
Sot është përkujtuar 110 vjetori i Luftës së Mashkullorës përmes një ceremonie të organizuar me këtë rast nga Bashkia e Gjirokastrës.
Kryetarja e Bashkisë Zamira Rami nën shoqërinë e kreut të Qarkut të Gjirokastrës Armand Hilaj, kanë qenë dy përfaqësuesit më të lartë vendor në këtë ceremoni sa të thjeshtë aq dhe kuptimplotë në nder të një date të shënuar historike që bën krenar cdo banor të Gjirokastrës.
Mesa duket deputetët e Gjirokastrës, e kanë parë të udhës t’a braktisin axhendën e përkujtimit të kësaj date. Ministrja që qesh 24 orë në 24 orë e cila aksidentalisht është edhe deputete e gjirokastritëve që e votuan, nuk e pa të udhës të gjendej në këtë ceremoni, por zgjodhi fshatin “Asim Zeneli” mbasditen e sotme sepse aty u dha një koncert simfonik të organizuar jo nga ministria e saj, por nga Bashkia e Gjirokastrës.
Deputetët e tjerë socialistë nuk u panë, ndërkohë që deputeti demokrat Tritan Sheheu, gjendet në një vizitë zyrtare jashtë vendit.
Pra vlerësimi i një ngjarje të tillë me përmasa sa historike aq edhe epike prej deputetëve të Gjirokastrës, është treguesi më i qartë se për kë votuan qershorin e kaluar Gjirokastra dhe gjirokastritët.