Makina e punonjësit të Policisë Rrugore ka marrë flakë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Zinxhira qytetin e Gjirokastrës, në orën 15:00 të së shtunës ku automjeti model Volksvagen AA591NC u përpi papritmas nga flakët e zjarrit. Mjeti qëndronte i parkuar përpara banesës dy katëshe të Arten Hoxhës, punonjës i Policisë Rrugore në Gjirokastër.
Automjeti ishte parkuar përpara oborrit të shtëpisë nga punonjësi policor, pasi ky fundit kishte qarkulluar para se mjeti motorrik të përpihej nga flakët. Në momentin kur punonjësi i policisë ka hyrë brenda në shtëpi, në pjesën poshtë kofanos, ka dalë një shtëllungë tymi ndërkohë që Hoxha është hedhur në sulm për të shuar flakët.
Menjëherë është informuar Reparti Zjarrëfikës i cili ka mbërritur menjëherë në vendngjarje duke bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit dhe ndalimin e avancimit në pjesë të tjera të automjetit me katër dyer.
Grupi hetimor i ngritur me këtë rast, konstaton se zjarri ka ndodhur si pasojë e një shkëndije në qarkun elektrik të baterisë së automjetit, kur ky i fundit qëndronte ende ndezur. Specialistët e Policsë Kriminale, kanë përjastuar pista të tjera.