Një të moshuarit, i gjendet kanabis në ambjentet e shtëpisë.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Revisht në banesën e Shefqet Kanushit në afërsi të qytetit të Memaliajt.
Lënda narkotike ka qenë me peshë 3.5 kg dhe menjëherë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga forcat policore. Informacionet e siguruara nga terreni, arritën në zbulimin e kësaj sasie narkotike nga ana e shërbimeve të Stacionit të Policisë në Memaliaj dhe seksionit të Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë.
Kontrolli në banesë është ushtruar në orët e mesditës së të martës duke cuar në ndjekje penale të zotin e banesës 77 vjecar i cili vuan nga probleme serioze shëndetësore. Nisur nga gjendja e tij e rënduar shëndetësore, procedimi penal ndaj tij do të ndërmerret në gjendje të lirë ndërkohë që vetë i moshuari, mohon të ketë pasur dijeni për egzistencën e kanabisit në shtëpinë e tij. Ndaj tij rëndon vepra penale e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Në tre muajt e fundit, Policia e Qarkut të Gjirokastrës, ka ushtruar kontrolle në banesa dhe territore të mbjella me hashash dhe ka arritur të prangosë tre persona, ndërkohë që në gjendje të lirë procedohen shtatë të tillë. Në raport me vitin e kaluar sipas statistikave policore, vërrehet një ulje në masën e 80% të kultivimit të drogës dhe po kaq edhe forcës zbuluese dhe kjo në varësi të rasteve të paraqitura.