Një tjetër sasi narkotike, është arritur të zbulohet nga Policia e Përmetit ndërkohë që poseduesit e saj, janë vënë në kërkim.
Operacion antidrogë i koduar LIMARI, është finalizuar me sekuestron e 107 kg kanabis, ndërkohë që procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit ku u zbulua sasia narkotike. Mbi bazën e informacioneve të marra në terren, shërbimet e Komisariatit të Policisë në Përmet në bashkëpunim me specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve në Policinë e Gjirokastrës, ndërmorrën operacionin në fjalë të pagëzuar me emrin e fshatit.
Si rezultat sasia narkotike u zbulua në vendin e quajtur “Ferra e Kuqe” në një ambjent të hapur në afërsi të fshatit Limar në zonën e Këlcyrës. Uniformat blu zbuluan disa thasë të mbushura me kanabis me peshë totale 107 kg e cila u sekuestrua menjëherë në cilësinë e provës materiale.
Të gjendur përpara faktit se askush nuk e mori përsipër pronësinë e kanabisit, Policia e Përmetit, në përfundim të veprimeve të para hetimore filloi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj kryeplakut të fshatit Limar P.K, 35 vjeç.
Ndaj tij rëndojnë veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzim krimi. Njëkohësisht policia ka shpallur në kërkim dy persona të cilët mendohet se janë pronarë të sasisë narkotike. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Përmetit për veprime të mëtejshme.