Ndodh dhe që kanabisi të fshihet në tubat plastikë në brendësi të serbatorit të automjetit.
Ngjarja ka ndodhur në Pikën Kufitare të Tri Urave në Përmet, ku u kap një sasi prej 15 kg kanabis e destinuar për tregun grek.
Poseduesit e lëndës narkotike, u arrestuan menjëherë ndërkohë që mbi ta rëndon vepra penale e trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Romeo Mëhilli drejtues i mjetit Mercedez-Benz 22 vjec nga Lushnja, udhëtonte për në Greqi së bashku me shokun e tij Lorenco Zgjana po nga Lushnja.
Për të kaluar në Greqi, ata kishin zgjedhur Pikën Kufitare të Tri Urave në Përmet për shkak se kjo pikë kufitare, nuk ka skaner për kontroll të imtësishëm të mjeteve.
Policët kufitarë në Tri Urat pasi kanë dyshuar për prezencën e kanabisit në mjet, insistuan që mjeti t’i nënshtrohej kontrollit me skaner në Kakavije.
Dyshimi i policëve kufitarë të Tri Urave, u vërtetua pas skanimit të mjetit ku u zbulua sasia e kanabisit e fshehur në shtatë tuba plastike në brendësi të serbatorit të Mercedez-Benzit.
Pas kësaj, dy 22 vjecarët janë prangosur menjëherë dhe dërguar në kryeqytet tek Prokuroria e Krimeve të Rënda.