FOTO/Zbulohet eksploziv C4 dhe dinamit në Memaliaj, në pranga poseduesi

0
98

Sasi eksplozivi dhe aksesorë për lëndë shpërthyese, janë sekuestruar nga Policia e Tepelenës mëngjesin e të dielës. Bëhet fjalë për sasinë më të madhe eksplozivit të kapur në dhjetë vitet e fundit në Qarkun e Gjirokastrës.

Astrit Bilo 57 vjecar banor i fshatit Kurtjes në Tepelenë, pronari i sasive të eksplozivit të gjendur nga policia, është arrestuar menjëherë. Burimet zyrtare, konfirmojnë se sasia e eksplozivit ishte në masën e 8 kg, ndërkohë që janë gjetur kapsolla, detonatorë dhe fitila zjarrpërcjellës.

Dinamiti i sekuestruar ishte i një cilësie të lartë ndërkohë që specialistët e xhenjos të thirrur nga Policia e Tepelenës, janë habitur me egzistencën e një sasie prej 600 gramësh C4 eksploziv amerikan i cili është i rrallë në përdorim në Shqipëri. Policët të cilët zbuluan sasinë e eksplozivit dhe aksesorëve të tjerë, në fund kanë bërë inventarizimin e materialeve plasëse ku rezultoi

1 kallëp tritol me peshë 200 gram.

600 gram C4.

7 kg dinamit.

13 metër fitil zjarrpërcjellës.

45 kapsolla detonatore, si dhe një thikë e cila shërbente për zhveshjen e fitilave në kulmet e tyre.

Sipas oficerëve të Policisë së Tepelenës, e gjitha kjo sasi, është zbuluar në katin përdhes së shtëpisë së Bilos ndërkohë që vetë i arrestuari, ka refuzuar të japë spegime për policinë në momentin e arrestimit.

Ai ka mohuar të jetë i përfshirë në ndonjë aktivitet me rrezikshmëri shoqërore dhe nuk ka dhënë asnjë spegim përse i dispononte këto materiale.

Menjëherë 57 vjecari, është dërguar në dhomat e paraburgimit në Burgun e Bëncës në Tepelenë në pritje të dhënies së masës së arrestit pas dy ditëve nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër. Mbi të rëndon vepra penale e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve.

Sipas burimeve konfidenciale, Bilo më parë ka punuar si xhenijer në Forcat e Armatosura por është liruar nga detyra vite të shkuara.

Shkruaj nje koment