Fqinjët i tremben koronavirusit/ Shqipëria “e djeg” me festa masive

0
233

Në Malin e Zi hyjnë në fuqi një seri masash që e çojnë vendin në prag të mbylljes, për shkak të shifrave të larta të koronavirusit. Gjithsej 5577 raste aktive kanë trembur autoritetet. Të huajt futen në kufi vetëm me dokumentet që provojnë se nuk janë të infektuar nga covid, ndërsa lokalet dhe restorantet do të punojnë me orare të kufizuara. Dasmat ndalohen. Kufizimet nisin kur sezoni turistik nuk ka përfunduar ende, por me pasojat e pandemisë nuk bëhet shaka.

Kosova gjithashtu ka rikthyer kufizimet për mbylljen e bareve dhe restoranteve në orën 22.30 dhe ndalimin e të gjitha eventeve familjare me muzikë. Po ashtu në kufi, kërkohen dokumentet që tregojnë se shtetasit që hyjnë janë të painfektuar.

Maqedonia e Veriut ka vendosur të rikthejë masat e kufizimit të pandemisë. Nga e Hëna deri të Enjten u shënuan 3.534 raste të reja dhe 56 viktima. Sipas mjekëve dhe epidemiologëve, eventet në klubet e natës, kanë ndikuar në rritjen e infektimeve të reja. Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët që nuk janë të vaksinuar nuk kanë të drejtë të hyjnë as në lokal për të marrë një kafe. Po ashtu ka orare të kufizuara për baret dhe restorantet.

Por çfarë ndodh në Shqipëri?

Panorama është krejt e përmbysur në vendin tonë. Asnjë masë kufizuese nuk është marrë, megjithëse është konfirmuar qarkullimi i variantit Delta. Ditët e fundit shifrat e infeksionit janë rritur me rreth 500 në ditë. Në 10 ditët e fundit kanë vdekur 15 pacientë në spitale.

Kufijtë mbeten të hapur për të gjithë vizitorët, pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë dokument, që të tregojë nëse personi që hyn është i infektuar apo jo. Për t’i dhënë një shtysë sa më të fortë ekonomisë, qeveria kaloi nga kufizimi drastik, në mungesën totale të kujdesit për t’u mbrojtur nga virusi.

Në ditën e parë të festës së birrës në Korçë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen festimeve masive. Në përpjekje për të zbehur debatin mbi Goran Bregoviçin, Balla nuk shfaqi asnjë ndjeshmëri në lidhje me viktimat e pandemisë, që deri tani janë 2475.

Në zellin për të festuar nuk mbetet pas kryebashkiaku Veliaj, që me grumbullimet masive në Sheshin Skënderbej gjatë ditëve të Kampionatit Europian konsiderohet një nga përgjegjësit kryesorë të situatës aktuale të pandemisë. Veliaj ka paralajmëruar një koncert të Ermal Metës në stadiumin Air Albania në datën 17 Shtator. Nuk dihet si do të shkojë kurba e infeksionit deri atëherë, por epidemiologët kanë paralajmëruar një valë tjetër të koronavirusit.

Qershia mbi tortë ishte një “rave party” e paralajmëruar nga mediat italiane në vendin tonë në datën 1 Shtator. “Takimi tjetër është përcaktuar më 1 shtator në Shqipëri. Por detajet në lidhje me eventin do të bëhen publike në grupet e aplikacionit Telegram” – citohet të ketë thënë një nga të rinjtë pjesëmarrës i cituar nga gazeta.

Për shkak të grumbullimit, festa ka qenë e ndaluar nga autoritetet në Francë dhe Itali. Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është përdorimi në masë i lëndëve narkotike gjatë festës. Një nga të pranishmit u tha gazetarëve italiane se nëpër makina ishin vendosur edhe tabela me çmimet e substancave. “Ketamine: 5 euro. LSD: 10 euro” ndërsa janë konsumuar pica të përgatitura me miell kërpi.

Të rinjtë mblidhen me rulota nga e gjithë Europa për të dëgjuar muzikë me volum të lartë, ndërsa konsumojnë alkol dhe drogë. Organizatorët kanë bërë përpjekje për ta mbajtur më pas edhe në Belgjikë dhe Gjermani, por kanë dështuar. Nuk dihet nëse një festë e tillë do të mbahet në Shqipëri, por sidoqoftë ajo nuk do të ndryshonte asgjë në një situatë njësoj të papërgjegjshme dhe në të njëjtën kohë, të frikshme për atë që mund të sjellë.©Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here