‘Friedrich Ebert’: Modeli ekonomik që ka ndjekur Shqipëria, rriti pabarazinë mes qytetarëve

Modeli ekonomik që ka ndjekur Shqipëria në këto tre dekada të tranzicionit ka rritur pabarazinë mes qytetarëve duke favorizuar një shpërndarje te të ardhurave që nuk është e bazuar në merita.

Fondacioni gjerman Friedrich Ebert publikoi një studim më përceptimet e publikut për mënyrën se si ka funksionuar sistemi ekonomik e shoqëror, i cili u punua nga espertët e njohur të Ekonomisë Selami Xhepa dhe Ardian Civici.

Për qëllim të studimit, u anketuan rreth 1200 qytetarë në të gjithë vendin, ku shumica e tyre me një përfaqësim prej 66% të totalit (2 në 3 banorë), janë përgjigjur se shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë. Po ashtu, 39% e tyre mendojnë se pasuria e krijuar nga të pasurit nuk është vënë me anë të punës së ndershme.

Opinioni publik (43.50%) beson se politikat e derisotme u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të sektorit privat dhe pak vëmendje interesave të popullatës. Pra, sistemi është i disbalancuar në favor të kapitalit.

1 / 4PrevNext

Edhe pse më shumë se 40% e popullatës besojnë se individët duhet të marrin më shumë përgjegjësi mbi vete, përsëri vetëm rreth 30% e tyre mbështetin një shoqëri të bazuar mbi individualizmin. Nevoja për ndërhyrje shtetërore në mbrojtjen e vendeve të punës që rrezikohen dhe në investimet publike në arsim, shëndetësi dhe infrastrukture mbështetet në mënyrë masive.

Shoqëria beson se rreziqet për rënien e standardit të mirëqenies janë sot më të larta nga ato të brezit të kaluar dhe se rreziqet për brezin e ardhshëm do të jenë edhe më të larta. Pra, rreziku i perceptuar vjen në rritje.

Shoqëria i mbështet fuqimisht proceset e integrimit të vendit dhe shumica (mbi 65%) vlerësojnë se efektet e marrëveshjeve të tregtisë së lirë kanë qenë me avantazhe pozitive. Por qytetarët vlerësojnë se, pavarësisht nga thellimi i proceseve të integrimit, politika lokale duhet gjithashtu të ketë kontroll mbi legjislacionin e vendit.

Ekonomistët Civici e Xhepa sugjerojnë se ndërhyrjet politike të synuara janë strukturuar përgjatë dy akseve:

–Së pari të ndërmerrën politika për kontrollin e proceseve që prodhojnë pabarazi dhe rritje ekonomike jopërfshirëse.

–Së dyti të ndërmerrem politika për korrektimin e rezultateve që krijohen nga shpërndarja ekonomike.

Ndërsa reformat e grupit të parë synojnë përmirësimin e qeverisjes ekonomike në mënyrë që rezultatet ekonomike të krijohen sipas proceseve të ndershme të ligjësive të tregut të lirë dhe konkurrues, reformat e grupit të dytë synojnë të krijojnë mekanizma të korrektimit të deformimeve që mund të manifestohen në shpërndarjen e së ardhurës kombëtare.

Prej kohësh në Shqipëri është hapur një debat për «modelin e ri ekonomik të zhvillimit», por deri më sot ky debat është kufizuar thjesht në aspektin sektorial të rritjes, një qasje që është kryesisht pozitiviste dhe që nënvizon përmirësimin e ritmeve të rritjes nëpërmjet alokimeve të burimeve në sektorë të caktuar (për shembull, eksportet).

Studimi i FES propozon një qasje tjetër në orientimin e debatit publik, atë mbi mënyrën se si mund të reformohet sistemi i sotëm ekonomik, në mënyrë që të jetë më i balancuar nga pikëpamja e interesave socialë, pra, një qasje normative.

Studimi bazohet në premisën e testuar si nëpërmjet një pyetësori të realizuar me mbështetjen e këtij projekti kërkimor, ashtu dhe nëpërmjet analizave empirike dhe teorike, se zhvillimi ekonomik i vendit ka krijuar diferenca të mëdha sociale dhe se një shoqëri harmonike dhe kohezive është thelbësore si për të rritur cilësinë e jetës në vend, ashtu dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e vetë sistemit ekonomik e shoqëror në afat të gjatë. /B.Hoxha/MONITOR

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment