Të rinjtë e Forumit Rinor të PD Gjirokastër, kanë apeluar tek organet shtetërore vendimmarrëse për mungesën e sigurisë të nxënësve jashtë hapësirave të shkollave publike. Në një deklaratë për shtyp, kreu i këtij forumi Artan Aliko, ka shprehur shqetësimin e FRPD për mungesën e elementëve të sigurisë infrastrukturore përreth shkollave publike në qytet dhe në fshat duke i ilustruar rastet me pamje. Aksidentet e hidhura që kanë ndodhur në të kaluarën, pranë Urës së Kardhiqit, shkollës “Koto Hoxhi”etj, demostrojnë qartazi se çdo ditë e më shumë siguria e jetes po cënohet prej neglizhencës së organeve përkatëse-është shprehur Aliko. Ndërkaq ky i fundit, i ka bërë thirrje pushtetit vendor, Autoritetit Rajonal Rrugor, Drejtorisë Rajonale të Arsimit si dhe Policisë Rajonale, që të marrin masat konkrete për rregullimin e gjendjes.
Më poshtë deklarata e plotë e FRPD dhënë nga kreu Artan Aliko.
Forumi Rinor i Partisë Demokratike Gjirokastër shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen infrastrukturore dhe funksionale të hapësirës përreth shkollave të qytetit dhe atyre të fshatrave.
Siç e shikoni edhe në këto pamje mungojnë vijat e bardha për këmbësorët, mungon punonjësi i policisë që ka detyrimin ligjor të garantojë jetën e qytetarëve dhe veçanërisht të nxënësve, mungon sinjalistika pamore rrugore dhe siç duket pra edhe në këtë foto të orëve të fundit pranë shkollës “Koto Hoxhi”, nxënësja detyrohet të kalojë rrugën duke vrapuar për të siguruar jetën e saj.
Aksidentet e hidhura që kanë ndodhur në të kaluarën, pranë Urës së Kardhiqit, shkollës “Koto Hoxhi”, etj, demostrojnë qartazi se çdo ditë e më shumë siguria e jetes po cënohet prej neglizhencës së organeve përkatëse.
I bëjmë thirrje organeve kompetente, Bashkive përkatëse, Policisë së Shtetit, Drejtorisë Rajonale të Rrugëve dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale të marrin masat e nevojshme sipas tagrit për rregullimin e kësaj situate.
Në të kundërt Forumi Rinor i Partise Demokratike me anëtarët e tij do të nisë aksionin e vet në terren duke ndërmarrë çdo iniciativë të domosdoshme për garantimin e jetës së çdo nxënësi dhe të çdo qytetari.
Faleminderit!
FRPD Gjirokaster 22. 09. 2016