Fshati Kallarat në bashkinë e Himarës është drejt shpopullimit. Në këtë fshat jetojnë të moshuar, të cilët përballen me mungesë të shërbimeve shëndetësore. Prej 17 vjetësh fshati është pa shkollë, ndërsa banorët e mbetur ende aty ankohen për infrastrukturën rrugore dhe shërbime të tjera.
Fshati Kallarat, pjesë e bashkisë së Himarës është braktisur në vite, ku ndër shkaqet kryesore janë mungesa e infrastrukturës dhe pamundësitë për ndërtuar jetën në këtë zonë.
Shkolla e fshatit nuk funksionon prej 17 vjetësh, ndërsa ata pak fëmijë që duan të ndjekin arsimin, udhëtojnë kilometra të tërë çdo ditë drejt fshatit Vranishtë.
Për banorët, një tjetër problem është mungesa e ujit për vaditje, pavarësisht se jetojnë pranë lumit Shushicë.
Në fshat nuk ofrohet as shërbim shëndetësor, ku ndonëse shumica e popullsisë është thuajse e moshës së tretë, qendra shëndetësore hapet vetëm një herë në javë.