Fundi pa lavdi i revolucionit

0
170

Nga Ergys Mertiri

Siç ishte e pritshme te ndodhte, foltorja po shkon tashmë drejt shuarjes. Ajo nuk mundi ti realizojë dot qëllimet e saj dhe tashmë po hyn në krizë të brendshme, pikërisht për shkak të paaftësisë për ta rrëzuar kryetarin në detyrë. Degjenerimi i saj në aksione guerrilase grupesh rinore të ngjashme me ato të “Organizatës Politike”, që i zënë pritë kryetarit për ti gjuajtur me vezë apo domate, tregon dëshpërimin e lëvizjes dhe pamundësinë e saj për të krijuar rezultate.

Strategjia e re për ta orientuar atë drejt parlamentit dhe institucioneve, është një tregues më shumë i dështimit të aksionit politik, e cila vetëm sa do të shtyjë edhe për ca kohë agoninë drejt fundit të pashmangshëm. Ajo vetëm do të ekspozohet si një lëvizje grindavecësh patetikë, që ekzalton deliret dhe paranojat e saj qesharake në një luftë imagjinare me komplote botërore. E zgjatur në kohë, ajo do të bëhet vetëm objekt humori në skenën politike shqiptare, nëse nuk transformohet në një forcë të re politike, me gjuhë dhe aksion politik tjetër nga ky i sotmi.

Në fakt, fati i kësaj lëvizje ka qenë i parashkruar që në fillim. Z. Berisha nuk kishte instrumentet e duhura ta fitonte këtë betejë. Ai u përqendrua tek fuqitë e tij mediatike dhe mbështetja prej faktorëve që sillen rreth rrjetit të tij të influencave, përfshirë këtu edhe pjesën më të madhe të oligarkëve, mediat e të cilëve janë angazhuar fuqishëm në prodhimin e perceptimit sikur foltorja po gjen mbështetje dërrmuese tek demokratët. Por kjo nuk mjafton, realiteti virtual i prodhuar nga media ka sidoqoftë limitet e veta.

Gjatë gjithë këtyre muajve mediat e paraqitën foltoren si një ortek brenda së djathtës, duke i kushtuar asaj të gjithë vëmendjen e duke paralizar debatin publik nga çdo diskutim tjetër. Ato i paraqisnin takimet e z. Berisha si lëvizje popullore masive të cilat po shkundnin nga themelet PD-në. Ato u përpoqën të krijojnë idenë se ai kish krijuar tashmë frymën e duhur për një shpërthim që do të merrte përpara gjithçka, kundër të cilit çdo rezistencë ishte e kotë dhe absurde. Fitorja e foltores u projektua si një fakt i kryer, i padiskutueshëm.

Por rezultati ishte krejt tjetër, sepse në realitet, gjërat nuk kanë qenë aspak kështu. Në të vërtetë Berisha nuk e ka mbështetjen e pretenduar, ndërsa prej kohësh ai e ka humbur besueshmërinë dhe moralin për të udhehequr lëvizje reformuese. Përveç një pakice të vogël, por shumë të zhurmshme dhe agresive, pjesa dërrmuese e njerezve nuk e duan më Sali Berishën.

Dhe është e kuptueshme, nuk mund të bësh revolucion me salla teatrosh të mbushur me nostalgjikë të gënjyer e zhgënjyer në paqartësitë mes ngjarjeve të së shkuarës dhe së tashmes. Nuk mund të bësh revolucion nëpërmjet ekonomizimit të urrejtjes dhe lakmisë së një grushti fosilesh parazitare që majmen prej 30 vitesh në kënetën e këtij tranzicioni, të eksituar tashmë nga era e gjahut që premton foltorja. Nuk mund të bësh revolucion as me sofizëm e populizëm analistësh, të gatshëm të rekrutohen në çdo kauzë, pavarësisht bindjeve që kanë. Në fakt, nuk mund të bësh revolucion kur ke 30 vjet që je pjesë problemeve të një politike që e ka nxirë realitetin. E sigurisht, nuk mund të bësh dot revolucion kur, megjithëse pretendon të jesh lider historik, vazhdon të kandidosh për deputet edhe pse nuk merr dot më shumë se 5 mijë vota preferenciale.

Në fund, realiteti tregoi se, në ditën e tij vendimtare, ku do të vendosej fati i opozitës dhe të ardhmes së vendit, lideri historik nuk mblodhi dot më shumë se 1000-1500 njerëz.

Lëvizja e z. Berisha ishte një ndër veprimet më të gabuara që ai ka bërë ndonjëherë. Ky angazhim u vendos në kushte mungese të thellë kthjelltësie për të njohur dhe kuptuar realitetin politik. Qoftë i detyruar dëshpërimisht nga nevoja për tu mbrojtur nga kërcënimet e ardhura nga SHBA, qoftë i pushtuar prej errësimit emocional të ardhur nga ndjenja e të ndjerit i përjashtuar, z. Berisha bëri gabimin e madh të shndërrimit të problemit personal, në një kauzë politike. Ai humbi me këtë edhe shumë nga mbështetesit që i kishin mbetur nga një konsum politik 30 vjeçar. Paaftësia për të kuptuar dhe pranuar se koha e tij ka kaluar dhe se një ditë gjithkujt i duhet të dalë nga politika, e shpuri atë drejt një beteje të pamundur, e cila thjesht po i rezervon një fund aspak dinjitoz. Zgjatja e agonisë vetëm sa e dëmton gjithnjë e më shumë figurën e tij dhe vetëm sa e bën më të shëmtuar ceremoninë e daljes së tij në pension politik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here