Funerali i një kryeministri në ikje

0
618

Nga Panajot Cakalli

Edi Rama është pa dyshim personi më i dëshpëruar  në këtë moment. Ai bëri një kapitullim pa kushte para një ultimatumi që nuk i drejtohej Bashës, por atij vet , me ndihmën dhe kontributin shumë të çmuar në këtë moment të amerikanit Yee.

Kështu ai i shpëtoi fatit të Millosheviçit, fatit të një diktatori që do të mund të rrëzohej me forcë me “bombardim” amerikan. Natyrisht kjo do të kishte ndodhur sikur ai të mos tërhiqej. Armatat Qytetare të Republikës së Re do të mobilizoheshin dhe do ta shqyenin atë bashkë me 18 Qershorin e tij.

Edi Rama lëpin tashmë atje ku ka pështyrë. Ka shkelur mbi gjithçka në katër vjet: shkatërroi arsimin, shpartalloi ekonominë, detyroi qindra e mijëra shqiptarë të largohen nga ky vend a thua se jemi në gjendje lufte, vodhi pa skrupuj dhe pa ngopje miliarda euro në tatime, dogana, me konçensionet në shëndetësi dhe shërbime të tjera publike, me marrëveshjen me ÇEZ-in, mbushi Shqipërinë me kanabis si kurrë më parë, futi bandat në sistemin e qeverisjes, në parlament dhe në administratëtn qëndrore e vendore, etj,etj.

Të gjitha këto krime përbëjnë bilancin tragjik të një kryeministri mjerran, tërësisht të pashpresë, plotësisht të izoluar nga bota. Tashmë ai është izoluar edhe nga vetvetja.

Ku është ai Edi Rama, “krenar” që përmbush misionin shpëtimtar të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit (kuptohet sipas Spiropalit)? Ku është ai i cili betohej dhe përbetohej se nuk e pranonte paketën Mekalister+, se nuk i shtynte zgjedhjet, se nuk i binte kushtetutës, edhe pse as e ka lexuar as e ka zbatuar ndonjëherë? Ku është Edi “trimi” që besonte se mund të bëheshin zgjedhje moniste më 18 Qershor pas 27 vjetësh pluralizmi? Për më tepër, ku është Edi “sarkastiku” që tallej në mënyrë groteske e idioteske me liderin Basha në krye të Partisë Demokratike?

Edi Maska ka marrë fund. Fundi i tij edhe pse ku e ku më i mirë se sa i Millosheviçit, është po aq tragjik. Tani atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të zvarritet si gjarpër në kryeministri për hir të karriges që mendonte paradoksalisht se i përkiste , se ishte krijuar për të, se ndihej rehat në të, edhe pse shtypte me arrogancë dhe injorancë jetët e miliona qytetarëve. Gjesti më dinjotoz i tij do të ishte dorëheqja, por i udhëhequr nga çmenduria e tij politike dhe ambicia e pafre, ai do të pranojë turpërisht të qëndrojë kryeministër i një qeverie të gjymtuar dhe tërësisht të diskredituar në sytë e gjithëkujt.

Qartazi Revolucioni Demokratik, i udhëhequr me urtësi nga Basha përfundoi misionin e tij të parë. Kujtoj këtu parrullën më të fuqishme të protestuesve në Çadrën afro 90 ditore të Lirisë: “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru!” .  Revolucioni nga Lart triumfoi në mënyrë të lavdishme, pa gjak, madje pa asnjë gur të hedhur mbi strofullën e krimit, siç ishte shndërruar kryeministria në kohën e Ramës.

Faza e parë e Revolucionit u përmbush me sukses. Tani duhet thjesht të bien dakord palët për votimin dhe numërimin elektronik, datën e zgjedhjeve dhe ministritë që kanë lidhje me procesin elektoral. Qartazi Rama është i zënë shah-mat. Nëse bën qoftë edhe një lëvizje kundër marrëveshjes, lufta e Popullit Ushtar për Republikën e Re dhe Revolucioni nga Poshtë do ta fshinin nga faqja e dheut. Zgjedhja është e tij.

E kam thënë dhe e përsëris, aksioni politik i popujve ka qenë historikisht kombinim i evolucionit me revolucionin, pasi ata që zotërojnë pushtet absolut edhe pse kanë mundësinë, nuk kanë vullnetin për të kufizuar pushtetin e tyre të pakufizuar. Aksioni qytetar që nisi më 18 Shkurt triumfoi sepse prelud i saj, kauzë e saj e patundur ishin zgjedhjet e lira e të ndershme.

Revolucioni nuk kishte karakter personal. Kauzat nuk ngrihen as me, as kundër një individi. Qëllim i tij suprem ishte përmbysja e Republikës së Vjetër përmes ndryshimit të mekanizmit që rregullon sistemin politik. Dhe duhet ta kemi të qartë se pa ndryshimin e mekanizmit që modifikon sistemin, nuk do të mund të shpresonim kurrë për një Republikë të Re.

Qytetarë !

Fitorja e 18 Majit është firoja jonë, është fitorja e të gjithë atyre që rezistuan deri në fund për triumfin e kauzës sonë. Republika e Re do të ndërtohet, dhe Rama domosdoshmërisht do të ndëshkohet.

Fitorja është e qytetarëve dhe qytetaria triumfoi !

Shkruaj nje koment