Furtuna në administratë, Rama kërkon emra për t’i hequr

0
785

Grupi me 5 anëtarë i ngritur nga kryeministri Edi Rama për pastrimin e administratës nga militantët, ka filluar punë. Niko Peleshi, Damian Gjiknuri, Bledi Çuçi, Lindita Nikolla dhe Ogerta Manastirliu kanë zbritur në terren, për të parë situatën nëpër të gjitha institucionet. Brenda muajit të gjitha ministritë, drejtoritë dhe agjencitë shtetërore do të verifikohen për çdo punësim që kanë bërë dhe në fund të korrikut raporti do të jetë në tryezën e kryeministrit Edi Rama. Ishte kreu i këtij grupi, Niko Peleshi, ai i cili dha detaje mbi punën e grupit dhe ku do të fokusohet. Ditën e djeshme, gjatë një takimi që zhvilloi në qytetin e Korçës, deputeti socialist, Niko Peleshi, i zgjedhur për Qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 qershorit, deklaroi se askush nuk do të shihet nga tesera e partive që ka për të mbrojtur vendin e punës, ndërsa theksoi se çdo vend pune në administratë duhet të fitohet me meritë. “Asgjë nuk do të shikohet nga teserat qoftë e Partisë Socialiste apo e kujtdo partie tjetër. Mund të kesh teserën por nëse ke meritë për të fituar punë, atëherë do ta fitosh. Nëse bëjmë këtë, mund të themi që kemi një të ardhme të sigurt drejt standardit europian dhe proçesin e integrimit. Grupi i punës që unë drejtoj do të ndërtojë dhe një strukturë më inovative që të risim efiçencën mes ristrukturimeve të institucioneve që më shumë kanë fjetur dhe nuk kanë bërë punë. Jemi duke ndërmarrë një tur falënderimi sepse e meritojmë, pasi Shqipëria arriti rezultat historik”, nënvizoi ai. Nga ana tjetër, Peleshi vlerësoi ecurinë e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, ndërsa rezultatin e dalë prej tij, e cilësoi si “historik”. Sipas tij, këto ishin zgjedhje që ngritën flamurin e Shqipërisë. “Ne kemi filluar edhe me dëgjesa që pas fushatës të jemi në kontakt me komunitetin. T’i dëgjojmë më qetë komunitetin dhe të përcaktojmë punët më të rëndësishme. Edhe pse u votuam masivisht problemet nuk kanë sosur pasi kemi shume punë përpara”, u shpreh Peleshi.

Rama thirrje qytetarëve

Kryeministri Edi Rama kërkoi dje nga qytetarët që të ndajnë eksperiencat negative të tyre në zyrat e administratës shtetërore. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se do të ishte i pranueshëm edhe denoncimi me emra drejtuesish. “Shumëkush prej jush ka të paktën një eksperiencë negative, të jetuar apo të dëgjuar nga familjarë a miq, në zyrat e shtetit. Do t’i isha falenderues kujtdo prej jush që do ta ndante një eksperiencë të tillë këtu. Nëse do të kishte edhe emra konkretë drejtuesish a punonjësish të zyrës përkatëse, edhe më mirë akoma”, nënvizoi ai. Ndërkohë, Rama theksoi se për të bashkëqeverisur me sukses në katër vitet e ardhshme, është shumë e rëndësishme që çdo njeri të ngrejë zërin. Sipas tij, Platforma e Bashkëqeverisjes do të sigurojë lidhjen direkte mes qytetarëve dhe kabinetit qeveritar. “Për të bashkëqeverisur me sukses në katër vitet e ardhshme, është shumë e rëndësishme që çdo njeri i zakonshëm, të ngrejë zërin kur del i pakënaqur apo ende më keq, i fyer nga një zyrë shteti. Platforma e Bashkëqeverisjes “Shqipëria Që Duam”, e cila do t’ju jepet për gjykim në formë paraprake në fillim të javës, do të sigurojë lidhjen tuaj direkte me kabinetin qeveritar, edhe për rastet e eksperiencave negative në zyrat e shtetit”, u shpreh Rama.Sipas kryeministrit, denoncimet e qytetarëve për eksperiencat e gabuara në shtet, do jenë busull orientimi për reformën në zyrat e shtetit.

Burimi: Sot.com.al

Shkruaj nje koment