Është më se e njohur shëmbëlltyra indiane e elefantit në errësirë, të cilin, ai që i preku këmbën, mendoi se ishte kolonë; ai që i preku feçkën, mendoi se ishte markush uji; ai që i preku veshin, mendoi se ishte freskore; ai që i preku shpinën, mendoi se ishte një fron mbretëror, ndërsa ai që davariti errësirën me një kandil, zbuloi se ishte një elefant…
Fushata që po zhvillon prej tri javësh Edi Rama i përngjan jo pak kësaj shëmbëlltyre të lashtë. Ata që kapen pas etiketimeve bullizuese të Edi Ramës në adresë të kandidatëve që caktoi vetë, duke i zhvlerësuar dhe fyer me epitete të tilla si gomar, pastrues, nikoqire etj., si dhe pas zellit të aksioneve të tij vullnetare për ripyllëzimin e Shqipërisë, mend si të ishte kreu i një partie ambientaliste apo ekologjiste, e emërtojnë “teatër absurd”, dhe kjo jo sepse kauzat ekologjike dhe ekosistemike nuk duhet të jenë të rëndësishme për partitë e tjera, por sepse Edi Rama është shkatërruesi dhe rrënuesi më i madh i ekologjisë dhe ekosistemit shqiptar.
Ata që kapen pas lodërtimeve dhe lodrimeve të tij plot pathos të shtirur nën tingujt e tallavasë, si bualli nën tingujt e fyellit të gomarit te “Carmina burana”, e emërtojnë me cinizëm “shfaqje efikase për popullin e Big Brother-it”, ndonëse e dinë fare mirë se stomaku nuk mbushet as me muzikë, as me tallava.
Ata që kapen pas batutave e humorit mjeran me të cilin Edi Rama mbush në çdo takim boshin që krijon mungesa e vizionit, e programit dhe e alternativës për jetën e qytetarëve, e emërtojnë “tallje me opozitën e përçarë”, duke u mbështetur për këtë emërtim jo thjesht te të qenit e tyre ushtarët mediatikë të Edi Ramës, por te fakti i pamohueshëm se Edi Rama ka me vete të gjithë aparatin zgjedhor, nga KQZ, KAS, KZ, deri tek komisionerët dhe numëruesit e KZAZ-ve.
Siç shihet, shkimtas si njerëzit e shëmbëlltyrës së lashtë indiane, edhe në rastin e fushatës që po zhvillon Edi Rama, vërehet një qëndresë kokëfortë për të kursyer “kandilin e mendjes”…
Fushata e Edi Ramës nuk është as teatër absurd, as shfaqje për popullin e Big Brother, as tallje me opozitën e përçarë. Po ashtu, fushata e Edi Ramës nuk është as fushatë zgjedhore, pasi s’ka lidhje drejtpërsëdrejti me zgjedhjet lokale, por me padinë e ngritur në Uashington ndaj Charles McGonigal, ish kreut të kundërzbulimit të FBI-së për Nju Jorkun, i cili, ndërsa akuzat e padisë së ngritur ndaj tij në Nju Jork i hodhi poshtë, duke deklaruar veten të pafajshëm, akuzat e padisë së ngritur ndaj tij në Uashington, në të cilën Edi Rama përmendet si një nga personat e implikuar, Charles McGonigal nuk i hodhi poshtë, nuk deklaroi veten të pafajshëm, dhe kjo e ka alarmuar, e ka panikuar e tmerruar Edi Ramën. Me të drejtë, pasi pranimi i akuzave nga McGonigal e bën të pashmangshëm hetimin e Edi Ramës, duke e kthyer në një opsion më se të mundshëm deri edhe arrestimin i tij. Humori mjeran, batutat bullizuese, lodërtimet dhe lodrimet me pathos të shtirur në tingujt e tallavasë, janë thjesht mekanizma psikike me të cilat Edi Rama përpiqet të fshehë pasigurinë e të shkarkojë makthin makbethian që i ka shkaktuar procesi kundër Charles McGonigal në Uashington.
Fushata e Edi Ramës lidhet drejtpërsëdrejti me këto zhvillime përtej oqeanit; ajo është pjesë e përpjekjes së tij për jetë a vdekje për t’i shpëtuar pasojave që mund t’i vijnë nga implikimi i tij në korruptimin e zyrtarit të lartë të FBI-së.
Edi Rama është i vetëdijshëm, se për t’i shpëtuar një hetimi e arrestimi të mundshëm, i duhet angazhimi i kumbarit të tij Georges Soros, i cili kontrollon një pjesë të mirë të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Uashington. Nga ana tjetër, është gjithë po aq i vetëdijshëm se Soros-i mund të hezitojë të angazhohet, qoftë për shkak të mediatizimit të pati çështja në fjalë, qoftë për shkak të reagimit publik dhe tronditjes që shkaktoi, qoftë për shkak të kompromentimit dhe cenimit të sigurisë kombëtare të ShBA që prodhoi, qoftë për shkak se po ndiqet nga afër nga komisioni për sistemin ligjor i Kongresit (aq më tepër kur McGonigal ishte nismëtari i dosjes ruse kundër Trump), qoftë për shkak se vetë Soros-i është në ciklonin e sulmeve të komisionit në fjalë pas padisë e arrestimit të Trump-it nga prokurori i Manhatanit, Alvin Bragg, i mbështetur prej tij, si dhe të rolit të Anthony Blinken, benjaminit të tij, në paraqitjen e skandalit të laptopit të Hunter Biden-it si dizinformim rus, duke gënjyer nën betim komisionin për sistemin ligjor të Kongresit…
I vetëdijshëm se zarët janë të pafavorshëm, Edi Rama vendosi që të reagojë përmes shantazhit. Po, përmes shantazhit. Fushata e Edi Ramës është as më shumë, as më pak, por një shantazh i pastër ndaj Georges Soros-it, me synimin për t’i bërë parapritë një mohimi të tij të mundshëm për t’u angazhuar dhe ndërhyrë pranë gjyqtarëve e prokurorëve që kontrollon në Uashington. Përmes personalizimit të dhunshëm, duke shfaqur imazhin e tij në vend të imazhit të kandidatëve që caktoi vetë, dhe përmes përfshirjes me përdhunë në fushatën e personalizuar të dyshes Berisha-Meta, duke u kujdesur që imazhin e tij ta shfaqte bashkë me imazhin e tyre, Edi Rama e shndërroi nga një fushatë për zgjedhjet lokale në një betejë të pashpallur sorosianizëm/antisorosianizëm, me qëllim që rezultatin zgjedhor t’ia shesë Soros-it si një fitore dhe veten si i vetmi garant i interesave të tij në Shqipëri dhe në rajon, pasi ai është i vetmi që mund ta mbajë larg pushtetit Sali Berishën, jo me votë, por duke e privuar nga zgjedhjet me makinacione gjykatash, prej nga mesazhi drejtuar Georges Soros-it është i qartë, pavarësisht faktit tejet kokëfortë se Edi Rama ka me vete të gjithë aparatin zgjedhor, të gjitha gjykatat dhe prokuroritë, jo për meritë të tij, por të Soros-it; se Sali Berisha nuk rezulton në fletën e votimit, jo për meritë të Edi Ramës, por të Soros-it; se Edi Rama po i zhvillon zgjedhjet lokale të 14 majit siç dëshiron, jo për meritë të tij, por të Soros-it, i cili ka vepruar dhe vepron aktivisht dhe me efikasitet përmes përfaqësueses së tij në krye të ambasadës amerikane në Tiranë.
*Titulli është i Politiko. Titulli i autorit: Edi Rama sjell në fushatë elefantin e tij