Gazeta e njohur greke vlerëson emigrantët shqiptarë të ’90! Por për emigrantët e tanishëm, bën apel për ndërhyrjen e BE-së dhe NATO-s

“Kontributi i shqiptarëve në ekonominë greke është i padiskutueshëm”. Kështu nis një koment i publikuar në gazetën e njohur greke eKathimerini, ku trajtohet çështja e flukseve migratore me të cilat po përballen disa vende të Europës, mes të cilave edhe Greqia.

Komenti rikthehet në vitet e mëparshme, kur shumë shqiptarë emigruan në Greqi për motive ekonomike e në këtë kontekst, rasti shqiptar konsiderohet një rast pozitiv, por që nuk ka ngjashmëri me fluksin migrator të tanishëm nga vendet e e largëta në konflikt.

“Vala e madhe e emigrimit në vitet ’90 rigjallëroi thuajse të gjithë profesionet dhe mbeti një faktor vendimtar për zhvillimin ekonomik të vendit. Greqia fitoi një fuqi punëtore që me përkushtimin për punën e vështirë vazhdojnë te kontribuojnë për vendin dhe krijojnë mirëqenie.

Sot fëmijët e atyre emigrantëve jo vetëm flasin në mënyrë ekselente greqisht por edhe po edukohen ndërsa rriten në një vend që ata e konsiderojnë të tyrin dhe kontribuojnë për zhvillimin e artit, shkencës dhe sipërmarrjes ( edhe pse vijojnë të shfaqen raste të trajtimit të padrejtë dhe krijimit të vështirësive në dhënien e shtetësisë). Frika e viteve ’90 se do të kishte një përmbysje kulturore të vendit ishte e pabazuar.

Si rrjedhojë, emigrantët e rinj që mbërrijnë në Greqi gjithashtu mbajnë me vete premtimin për të dhënë një kontribut domethënës për vendin. Ata që vijnë në vendin tonë duhet të trajtohen mirë por Greqia nuk mund të vijojë të marrë shumë prej tyre” shkruhet në artikull.

Por analiza merr një rrjedhë tjetër kur analizohet fluksi i tanishëm. Sipas artikullit të gazetës greke, “numri në rritje i emigrantëve dhe refugjatëve që po mbërrijnë në Greqi po drejtohet nga forca anti-perëndimore që duan të destabilizojnë Europën”.

Me fjalë të tjera, emigracioni sigurisht e forcon Greqinë në shumë mënyra, sikurse ka dëshmuar historia me shqiptarët por numri i madh i emigrantëve që vijnë, që është pjesë e një plani sekret për destabilizimin e Europës, duhet të kontrollohet nga mobilizimi i Bashkimit Europian dhe NATO-s” mbyllet komenti me autor Pavlos Papadopoulos.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment