
Mediat në Kosovë e kanë bojkotuar sot konferencën për media e cila pritej të mbahej pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Sipas gazetarëve që kanë qenë duke e ndjekur mbledhjen, vazhdimisht pas përfundimit të takimeve të ekzekutivit, rëndom presin deri një orë për konferencë.
Të mërkurën, para se të largoheshin nga salla e konferencave gazetarët kanë pritur 40 minuta.
Lidhur me këtë ka pasur reagim nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se një situatë e tillë nuk duhet të krijohej.
Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar. Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht. Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka dalë në mbështetje gazetarëve që sot bojkotuan konferencën e Qeverisë së Kosovës.
Gazetarët dhe kameramanët e medieve kosovare sot janë organizuar spontanisht për të bojkotuar konferencën për shtyp, pas Mbledhjes së Qeverisë. Gazetarët kanë pritur më shumë se 40 minuta për paraqitjen e dy ministrave të Qeverisë, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci.
AGK-ja, përkrah kolegët gazetarë për veprimin e sotëm, pasi që kjo nuk është hera e parë që Qeveria vonon pa ndonjë shpjegim konferencat.
AGK-ja, gjithashtu ka kërkua nga Qeverisë respektimin e punës së gazetarëve duke organizuar konferencat për shtyp, në një kohë të arsyeshme pas përfundimit të mbledhjeve.
Arsyeja që u është dhënë gazetarëve për vonesën ka qenë që ekzekutivi ka pasur një takim të brendshëm.