Gazetari Thanas Dino kritika të ashpra TVGJ: Promovoni antivlera

0
213

“Gjirokastra ka rënë para se të binte shtufi. Ka rënë se kanë rënë intelektualët”. Ka qenë i ashpër dhe i drejtpërdrejtë ish-gazetari Thanas Dino që ka shigjetuar rëndë dhe pa doreza TVGJ, drejtuesit dhe gazetarët për përzgjedhjen e aktiviteteve që i përcjellin shikuesve.

Dino ka qenë pjesë e intelektualëve dhe njerëzve të letrave pjesëmarrës në promovimin e vëllimit poetik të Timo Flloko “Kërcim në bosh”, aktivitet i organizuar në shtëpinë Kadare.

Ai nuk i ka kursyer kritikat për TVGJ duke theksuar se aktivitetet letrare, artistike dhe promovuese për kontribues të fushave të ndryshme në Gjirokastër lihen në hije, duke u transmetuar si një kronikë e thjeshtë televizive, ndërsa nuk e kursen hapësirën televizive për aktivitetet politike.

Dino ka sjellë si rast të freskët aktivitetin e organizuar nga gratë e politikës për 8 Marsin, të cilin TVGJ, punonjësit e të cilit paguhen nga taksat e qytetarëve të të gjithë ngjyrimeve politike, e ka transmetuar në një hapësirë televizive të dedikuar.

Përballë saj ai vendosi disa raste të aktiviteteve për emra të njohur gjirokastritësh që kanë kontribuar në vite si, doktor Vasil Laboviti, që nuk ka patur më shumë se dy minuta hapësirë kohore televizive në televizionin lokal shtetëror TVGJ.

“Cili është qëllimi i transmetimit të këtyre aktiviteteve? Kujt i intereson se çfarë bëjnë apo thonë gratë e politikës. Ato le të festojnë, janë në të drejtën e tyre, por publikut nuk i intereson. Ne na interesojnë aktivitete të tilla që tranmetojnë një mesazh, që ndikojnë në edukimin e brezave” ka thënë Thanas Dino.

Indinjata e tij ka marrë shkas nga largimi i kamerave gjatë zhvillimit të aktivitetit promovues të vëllimit poetik të autorit Timo Flloko ku kamera e TVGJ është mjaftuar vetëm me filmimin e disa planeve të mjaftueshme për një kronikë të thjeshtë televizive.

“Aktivitete të tilla duhet të transmetohen të plota dhe jo të shpenzohet kohë duke transmetuar organizime politike pa interes publik.” ka shtuar Dino në fjalën e tij hyrëse.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here