Gert Bogdani: Zgjedhjet Presidenciale në SHBA dhe Shqiptaria

0
137

Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës votojnë për Presidentin e 59-të të tyre. Në fakt, votimi ka disa javë që ka filluar me votën në distancë, me postë dhe votim paraprak. Deri tani raportohet që mbi 90 milionë amerikanë kanë votuar tashmë, shifër kjo rekord dhe pothuaj e barabartë me 67% të numrit total të votuesve në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. Arsyet që kanë sjellë një numër të larte të votimit paraprak janë disa, por më e rëndësishmja është situata e pandemisë së Covid-19. Sidoqoftë, sot pjesa e mbetur voton për Presidentin e tyre të 59-të, duke filluar me Bregun Lindor, Maine, New York, New Jersery, Florida e të tjerë, e duke përfunduar disa orë më vonë me Kaliforninë.
Në këtë opinion, sado mirë i njoh Shtetet e Bashkuara dhe politikën e tyre dhe përtej preferencave të mia personale, nuk mund të marr përsipër të trajtoj se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve. Nuk merret dot përsipër as të diskutohet se cila është klima sociale dhe ekonomike ku po zhvillohen këto zgjedhje, sepse në varësi të cilit burim mediatik lexon apo ndjek, ndryshimi i pasqyrimit është si nata me ditën.
Por, në këtë analizë do të mundohem të trajtoj një çështje që për ne shqiptarët duhet të jetë shumë më e rëndësishme, çfarë ndodh përtej rezultatit. Çfarë ndodh mes marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë nëse fiton njëri apo tjetri kandidat?
Prej më shumë se një shekulli, Shqiptaria (nuk është lapsus dhe dëshiroj ta theksoj Shqiptaria dhe jo thjesht Shqipëria) dhe shqiptarët i kanë pasur fatet të lidhura drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara dhe politikën amerikane. Kjo fillon që me Presidentin Wilson më shumë se një shekull më parë, i cili nuk lejoi copëtimin total të trojeve shqiptare përkundrejt dëshirës dhe interesit të fuqive të tjera të mëdha. Vazhdon me vizitën e Sekretarit të Shtetit, Baker, menjëherë pas rënies së komunizmit, gjatë presidencës se Bush Sr. Lidhen akoma edhe me ngushtë gjatë presidencës së Clinton kur NATO, e udhëhequr nga SHBA, çliroi më në fund Kosovën nga gjenocidi serb. Më pas, Presidenti George W. Bush deklaroi Kosovën të pavarur gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2007. Dy vite më vonë, gjatë presidencës së Presidentit Obama, Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Për të ardhur së fundmi te Presidenti Trump dhe iniciativa e tij për stabilizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë dhe nënshkrimit të marrëveshjeve në Shtëpinë e Bardhë pak më shume se një muaj më parë. I rendita këto ngjarje historike, për të parë që gurët më të rëndësishëm kilometrikë në historinë e Shqipërisë dhe Shqiptarisë, janë lidhur ngushtë dhe kanë qenë të mundura vetëm për shkak të partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se cili ka qenë President ndër vite.
Kjo ndodh, për disa arsye kryesore në mendimin tim. Së pari, sepse boshti i politikës së jashtme dhe i sigurisë së SHBA nuk ndryshon në thelbin e vet me ndryshimin e emrit në Shtëpinë e Bardhë apo të forcës politike që përbën maxhorancen. Ai mbetet i qëndrueshëm dhe konsekuent ndër vite, ku secili president apo ekzekutiv mund të bëjë alternime dhe përmirësime të lehta sipas axhendës së vet, por jo ndryshime themelore.
Së dyti, sepse me rritjen dhe forcimin e komunitetit shqiptar në SHBA, duke filluar më shumë se një shekull më parë me Shoqatën Mbarë Shqiptare VATRA, e sot me rritjen e numrit të shtetasve shqiptaroamerikanë, lidhja dhe bashkëpunimi me politikën amerikanë është edhe më i ngushtë. Ka qenë pikërisht puna dhe lobimi i komunitetit shqiptar në Amerikë që solli në çlirimin e Kosovës në vitin 1999 e më pas ne njohjen e saj disa vite më vonë. Së treti, shqiptarët si popull vital, ambicioz dhe me shumë potencial, kanë arritur pozicione shumë të rëndësishme dhe të larta jo vetëm në shoqërinë apo ekonominë amerikane, por edhe në politikën e saj. Pa dashur të përmend emra, sepse lista është e gjatë, çdo emër i lënë jashtë saj do të ishte gabim, mund të përmend atë që për mendimin tim sot mban postin më të larte në politiken amerikane. E kam fjalën për kongresmenin John Ratcliffe, me prejardhje arbëreshe dhe shumë aktiv në komunitetin shqiptar të Teksasit dhe më gjerë, i cili është sot Drejtor i Inteligjencës Kombëtare, në kabinetin e Presidentit Trump.
Në këtë kuadër, besoj se marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë, do të vazhdojnë të jenë të forta dhe të ngushta, pavarësisht emrit në Shtëpinë e Bardhë apo ngjyrës së maxhorancës fituese. Dhe do vazhdojnë të jenë të tilla, për sa kohë nuk ndodh një situatë flagrante që mund t’i dëmtojë këto marrëdhënie, siç ishte deklarata totalisht e papërgjegjshme, gafa politike e diplomatike e Kryeministrit Rama gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Ishte e totalisht e papërgjegjshme dhe në shkelje të çdo protokolli diplomatik jo thjesht për faktin që ishte ndërhyrje në politikën e brendshme, por mbi të gjitha për faktin që kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, nuk duhet në asnjë mënyrë të ketë preferenca dhe ngjyrime politike.

Nga eksperienca 12- vjeçare si Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Demokratike, kam mësuar një gjë shumë të rëndësishme, se ndryshe nga marrëdhëniet tona me partitë simotra në Europë, ku e djathta dhe e majta janë të ndara qartazi dhe kështu duhet të ndodhe edhe me marrëdhëniet ndërpartiake; kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të ketë në asnjë moment ndarje për shkak të ngjyrimit politik dhe ngjyrat tona nuk duhet të jenë bluja e PD-së dhe lejlaja e PS-së, por ngjyrat e flamurit kuqezi.

Për ta mbyllur, por edhe për të theksuar këtë mendim të fundit, dëshiroj të sjell në vëmendje të publikut një episod nga bashkëpunimi i politikës amerikane me komunitetin shqiptar në SHBA. Episod të cilin e kam dëgjuar nga një mik, i cili ndonëse në moshë shumë të re, ka qenë prezent në këtë ngjarje. Bëhet fjalë për fushatën presidenciale të vitit 1996, mes Bill Clinton dhe Bob Dole. Senatori Bob Dole është një nder figurat kryesore të dekadave të fundit në Partinë Republikane, por mbi të gjitha është një nga miqtë më të mirë të shqiptarëve dhe një nga mbështetësit kryesore të çështjes sonë kombëtare. Gjate fushatës së vitit 1996, në një takim me komunitetin shqiptar, pasi i falënderon të gjithë të pranishmit për mbështetjen e tyre, u kërkon miqësisht që gjysma e tyre të largohen dhe të shkojnë të mbështesin kandidatin tjetër, që në këtë rast ishte Presidenti Clinton. Ai u kërkon këtë gjë miqësisht dhe u shpjegon se me shumë gjasa, me gjithë dëshirën e tij për të fituar vetë, Presidenti Clinton mund të fitojë një mandat të dytë. E në këtë rast, vazhdon sqarimin e tij, shqiptarët nuk duhet të gjenden në vetëm njërin prej kampeve, përkundrazi duhet të jenë prezentë në të dyja kampet politike. Sepse çështja kombëtare është shumë më e rëndësishme sesa preferenca dhe dashamirësia politike. E kështu ndodhi! Clinton fitoi mandatin e dytë në 1996 dhe më pas në 1999 udhëhoqi NATO-n në bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës.

Ketë gjë dhe këto fjalë, të rrallë janë politikanët që mund t’i thonë! Secili në fund të ditës dëshiron të mbledhë sa më shume vota për vete. Por në rastin e Bob Dole tregon miqësinë reale dhe dashurinë e vërtetë që ai kishte për shqiptarët dhe çështjen shqiptare! Kjo gjithashtu tregon se pavarësisht se kush do të jetë Presidenti i 59-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët dhe politika shqiptare nuk duhet ta shohë këtë garë me syze me filtra blu a të kuq, por kuqezi!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here