Gjashtë të vdekur dhe qindra të lënduar nga stuhia që përfshiu Ballkanin

0
136

Një zjarrfikës kroat ka vdekur gjatë stuhisë vdekjeprurëse që përfshiu Ballkanin pas një vale të të nxehtit, duke e çuar numrin e të vdekurve në gjashtë, thanë zyrtarët më 20 korrik.

Në të gjithë Ballkanin, autoritetet raportuan qindra të lënduar, duke përfshirë disa në gjendje më të rëndë, nga pemët, pjesët e çative ose objekte të tjera të rrëzuara nga erërat e forta.

Pas disa ditësh shumë të nxehta dhe të thata, Ballkani përjetoi stuhinë e dytë brenda dy ditësh, teksa pjesë të tjera të Evropës po luftojn me zjarre dhe temperatura të larta.

Shërbimet e urgjencës në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Serbi u përpoqën më 20 korrik të rivendosin energjinë elektrike dhe të pastrojnë mbeturinat e mbetura pas kaosit të një dite më parë.

Meteorologët thanë se stuhia ishte jashtëzakonisht e fuqishme pasi u formua pas një vargu ditësh shumë të nxehta.

Më herët, në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, janë raportuar dy viktima si pasojë e stuhisë. Sipas policisë kroate, dy burra humbën jetën pasi u goditën nga rrëzimi i pemëve. Ngjarja përfshinte një 50-vjeçar që ndodhej jashtë në rrugë dhe një 48-vjeçar që ndodhej brenda makinës së tij gjatë fatkeqësisë.

Mjekja e urgjencës, Ljupka Hitrova, ka bërë të ditur për agjencinë zyrtare të lajmeve Hina se të dy viktimat kanë pësuar lëndime të rënda në kokë.

Në Cernik të Kroacisë, një person tjetër humbi jetën sa ishte në makinën e tij, gjithashtu nga rrëzimi një i peme.

Diku tjetër në Zagreb, një 36-vjeçar u lëndua rëndë kur një vinç pranë një zone ndërtimi u shemb, thuhet në deklaratën e policisë.

Stuhia errësoi papritur qiellin dhe solli shi, përmbytje të shpejta dhe erëra në të gjithë Zagrebin duke filluar rreth orës 16:00.

Transporti i qytetit u ndal, pati ndërprerje të energjisë elektrike dhe rrugët u bllokuan për shkak të pemëve të rrëzuara.

Shërbimet e urgjencës së Zagrebit u kërkuan qytetarëve të kenë durim, pasi qindra thirrje për ndihmë erdhën menjëherë.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të thërrasin vetëm nëse janë në një situatë kërcënuese për jetën, deri në stabilizimin e situatës”, tha kryetari i bashkisë së Zagrebit, Tomislav Tomaseviq në Twitter.

Një situatë e ngjashme u raportua në Slloveninë fqinje, ku era e fortë rrëzoi pemë dhe dëmtoi çatitë.

Transmetuesi publik RTV Sllovenia raportoi se një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos kur një pemë ra mbi ta në zonën e liqenit Bled.

Një person humbi jetën në Bosnje dhe të paktën 20 u plagosën, thanë autoritetet atje.

Autoritetet në Serbi lëshuan paralajmërime për qytetarët ndërsa stuhia u zhvendos drejt lindjes.

Erërat e forta u përhapën nëpër kryequtetin serb të Beogradit, të mërkurën në mbrëmje.

Disa pjesë të qytetit mbetën pa energji elektrike dhe aeroporti i Beogradit u mbyll përkohësisht. Një video e postuar në rrjetet sociale tregon një vinç të madh duke rënë.

Diku tjetër në Serbi, banorët raportuan pemë të çara në mes, tulla që binin dhe çati të dëmtuara.

Një vajzë 12-vjeçare u shtrua në spital pasi një pemë ra mbi të në qytetin verior të Novi Sadit, thanë mjekët.

Shërbimet e urgjencës në të tre vendet raportuan qindra ndërhyrje ndërsa stuhia përfshiu rajonin.

Autoritetet paralajmëruan alpinistët të qëndrojnë larg atyre zonave me pemë./rel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here