Gjirokaster/ Nenshkruhet marreveshja midis Akademise se Shkencave dhe universitetit E. Çabej

Universiteti i Gjirokastrës ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

Të pranishëm në takimin me rektorin e UGJ, prof.dr. Bektash Mema, ishin presidenti aktual i ASHASH prof.dr. Ksenofon Krisafi, anëtarët dhe njëherazi ish – presidentë të kësaj Akademie, prof.dr. Fatos Tarifa dhe prof.dr. Isuf Kalo.

Për rektorin Mema kjo marrëveshje do t’u japë një tjetër impuls marrëdhënieve mes UGJ – së dhe Akademisë duke ndikuar në orientimin e universitetit drejt të ardhmes së tij. “Aktivitetet e ndryshme që do të zhvillojmë me Akademinë do të ndikojnë edhe në orientimin e Universitetit të Gjirokastrës në planin afatmesëm dhe afatgjatë”.

Presidenti i Akademisë, prof.dr. Ksenofon Krisafi u shpreh se marrëveshja do të disiplinojë efikasitetin e bashkëpunimit me UGJ. “Misioni ynë si akademikë nuk është vetëm formimi i brezave të ardhshëm, por edhe të kontribuojmë për prosperitetin e vendit dhe të rajoneve”, theksoi presidenti Krisafi.

Për prof.dr. Isuf Kalo formalizimi i kësaj marrëveshjeje është një akt demokratizues dhe patriotik. “Zgjodhëm UGJ – në sepse këtu gjetëm frymën dhe potencialin e duhur”, u shpreh ai. Ndërsa për prof.dr. Fatos Tarifën lidhja me UGj-në është organike dhe bashkëpunimi tashmë ka nisur.

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është një grupim vullnetar profesorësh, shkencëtarësh dhe artistësh të shquar, të cilët vendosën ta krijojnë, duke ndjekur shembullin e disa vendeve të tjera, si Shtetet e Bashkuara, me qëllim për të ofruar ekspertizën, dijet, opinionet, veprat e tyre në dobi të progresit shkencor apo kulturor të vendit.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment