Gjirokastër/ Rama dhe Golemi premtuan investime, pallati i sporteve është ku thërret qameti

0
205

Pallati i sporteve në qendër të lagjes 18 shtatori në Gjirokastër ka degraduar . Siç shihet nga pamjet gjendja e tij është e mjerueshme dhe e turpshme për një vend si Gjirokastra . Me mure gati për tu rënuar me lagështi e myk edhe në ditët me diell, me xhamat e dritareve “kabriole” , çfarë bie jashtë , bie brenda, është kjo një godinë që zemëron çdo qytetar gjirokastrit që ia di vlerën kulturës e sportit.
Të shumta kanë qenë premtimet për rindërtimin e tij por ato kanë mbetur vetëm fjalë që i ka rrokullisur era në ndonjë greminë.
Kujtojmë këtu vetë kryeministrin Edi Rama ku më 22 shkurt të 2019 në një takim me banorët e Gjirokastrës, në vijim të turit kombëtar “Bashkia që duam”, Kryeministri Edi Rama tha se “do e bëjmë këtë pallat ashtu siç e meriton Gjirokastra dhe po ashtu me siguri do bëjmë shumë e shumë gjëra të tjera, por ato janë kur të vijë fushata”.
“Por sot nuk jemi në fushatë, sot jemi për t’u thënë gjithë gjirokastritëve, të gjithë banorëve të qarkut, atyre që janë në qark apo janë në emigracion, se ne do vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi dhe ta bëjmë me gjithë pasionin dhe gjithë vullnetin tonë”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “do të bëjmë shumë më tepër se tani për Gjirokastrën, Tepelenën, Libohovën, Këlcyrën, Përmetin, Memaliajn dhe Dropullin”.
Por pavarësisht euforisë së momentit që e kaploi kryeministrin se do bënte mrekullira në jug sot , dy vjet më vonë në këtë pallat sporti nuk është bërë asnjë ndërhyrje e jo më një investim madhor sikurse kryeministri u përpoq ti mbushte mendjen qytetarëve gjirokastrit se do bënte diçka.
Ju mendoni se kjo do të përdorej vetëm nga Rama ?
Një premtim të tillë nuk ngurroi ta bënte edhe kryebashkiaku aktual i Gjirokastrës , Flamur Golemi. Por pavarësisht çfarë u tha pamjet flasin vetë. Sërish edhe këtë vit pak muaj para zgjedhjeve elektorale bashkia Gjirokastër premton se do të investoj pjesërisht në të . Për qytetarët e Gjirokastrës ndërhyrja në të është e nevojshme dhe duhet të jetë emergjente pasi mund të jetë shumë vonë .


Por tek sa premtimet përsëriten , e keqja për pallatin e sporteve vazhdon , ai ka vënë kujën por vështirë të dëgjohet nga disa të shurdhët duke e lënë të vetëm tek rënkon në agoni shkatërrimin e tij . I vetmi moment kur ky pallat sporti vihet në funksion është gjatë fushatave zgjedhore ku kryhet numërimi i votave

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here