Gjirokastra në zonën e kuqe të pandemisë?-Dështim total i qeverisjes qëndrore dhe lokale në menaxhimin e saj.

/Prononcim i anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD Roland Bejko për situatën jashtë kontrollit në qarkun Gjirokastër të Covid 19./

Qysh prej disa ditësh Qarku i Gjirokastrës gjendet i pushtuar nga covid 19.

 Numëri i të infektuarve dhe atyre që po humbasin jetën në këtë Qark është rritur frikshëm.

 Komiteti Teknik i Ekspertëve e ka klasifikuar qarkun tonë në zonën e kuqe, pra në zonën me rrisk të lartë infektimi.

Gjatë valës së parë të pandemisë ky Qark ishte një ndër zonat me nivelin zero të infektimit, ndërsa tani, brenda një kohe kaq të shkurtër vihet re një shpërthim i  infektimit masiv të qytetarëve.

Që menaxhimi i situatës së pandemisë është jashtë kontrollit, kjo është përgjegjësi absolute e qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama i cili sipas specialistëve të fushës  është i fundit në rajon për numërin e testimeve të qytetarëve të infektuar, për mungesën e gjurmimit dhe izolimit të mbartësve ,(katër herë më pak se Maqedonia e Veriut, dhe pak më mirë se Somalia e Afrikës).  Por në Qarkun e Gjirokastrës problemi është ndryshe nga qarqet e tjera të vendit, e keqja ka tjetër natyrë. Këtu shkaktarët e përhapjes së pandemisë janë ata që duhet të ishin garantët e zbatimit të ligjit;(i) janë kryetarët e bashkive dhe deputetët e rilindjes (ii) policia e shtetit në nivel lokal, (iii) Drejtoria e Shëndetit Publik rajonal, (iv) pakujdesia e bizneseve, (v)por edhe neglizhenca e vet qytetarëve për respektimin e rregullave të detyruese higjeno sanitare.

Pse janë përgjegjës për përhapjen masive të pandemisë kryetarët e bashkive dhe deputetët socialistë?

Sepse prej kohësh, Bashkitë Përmet,Këlcyrë, Tepelenë e Gjirokastër kanë organizuar aktivitete masive kulturore, mbrëmje dhe party në grup të madh, koncerte, panaire dhe ekspozita në mjedise publike ku si organizatorët, por edhe spektatorët kanë shkelur gjithë rregullat e vendosura nga vet Qeveria për këtë rast, ku njerëzit në turmë kanë qenë pa maskën mbrojtëse në fytyrë, pa respektuar distancën e duhur nga njëri-tjetri në ambiente që nuk kishin  kushtet e duhura higjeno sanitare. Ndërkohë, kontaminimi deri në mbyllje i shkollave dhe kopshteve në gjirokastër është dëshmia më e mirë e paaftësisë menaxheriale të institucioneve shtetërore qëndrore e lokale aty..

Ndërsa policia e shtetit dhe ajo bashkiake ka qenë prezent në këto evente që janë zhvilluar në Bënjë, Përmet, Tepelenë, Gjirokastër (Qafa e Pazarit), por nuk e kanë zbatuar ligjin ndaj pushtetarëve siç e zbatojnë atë me gjoba të majme ndaj qytetarëve të thjeshtë. Nuk kemi parë të gjobisë asnjë kryetar bashkie, deputetë, qeveritarë apo të pranishmit aty, sepse ata kanë qenë në ahengje pushteti. Pra policia jonë ka qenë arrogante me qytetarët e thjeshtë dhe impotente përballë pushtetit.

Aucune description disponible.

Pjesë të madhe të fajit në përhapjen e pandemisë ka edhe Inspektoriati i Drejtorisë Rajonale të Shëndetit publik në Gjirokastër. Ky inspektoriat edhe pse ka vendosur shumë gjoba në njësitë tregëtare që i ka gjet me shkelje, nuk ka guxuar të ndalojë zhvillimin e mbrëmjeve masive me muzikë, bira dhe aheng pushteti, por në dijeninë time ka qenë edhe në dijeni të qytetarëve të prekur nga virusi, që kanë vazhduar të shkonin në punë e të frekuentonin baret e restorantet të pashqetësuar nga dikush. Pra, për shkak të punës me dy standarte, të ashpër ndaj qytetarëve dhe tolerantë ndaj pushtetarëve, kemi sot një dështim total në menaxhimin e situatës në Gjirokastër edhe prej tyre.

Jo më pak faj në përkeqësimin e situatës kanë edhe vet bizneset. Është fakt që bizneset mbijetojnë në kushte të vështira dhe pa ndihmën e nevojshme të qeverisë.Për këtë meritojnë inkurajim dhe respektin tonë më të madh, por ama  ata duhet të tregojnë kujdes dhe të marrin masat urgjente për krijimin e kushteve higjeno sanitare sipas protokollit për gjithë personelin e tyre. (Një grua e re nga Lazarati që punonte në një biznes fasoni, humbi jetën e prekur nga covid 19).

Pra, me pak fjalë, vet pushteti në vend që të ishte gardiani i ruajtjes së jetës së qytetarëve, është kthyer në një abuzues të rrezikshëm duke i shkelur rregullat dhe ligjet e bëra për të ulur riskun e infektimit të qytetarëve.

Ndaj, duke qenë se qeveria dhe pushteti vendor e kanë humbur pusullën dhe nuk kanë asnjë plan masash për ti bërë ballë situatës së rrezikshme të pandemisë në qarkun e Gjirokastrës, sipas specialistëve tanë të fushës ne sugjerojmë që spitali “Omer Nishani” duhet të përshtatet nga Qeveria për trajtimin paraprak të pacientëve me covid 19 duke shtuar personelin e kualifikuar për pandeminë. Të masivizohet testimi me tamponë si në qytete dhe në fshatra, të shtohet personeli mjekësor, dhe numëri i mjekëve të familjes në zonat me popullsi të lartë si Lazarati ku një mjek përballon 4500 banorë, Libohova apo në zonat e thella si Kurveleshi, Zagoria, Pogoni, Frashëri, etj. Të përshpejtohen ditët e nxjerrjes së përgjigjes për testin e tamponit dhe analizave të ndryshme. Të pezullohen të gjitha aktivitetet me pjesëmarrje masive.Të shtohet kontrolli për zbatimin e protokollit të nevojshëm në shkolla, ndërmarje private apo publike, sidomos në ato fason.

 Ndërsa Pushteti vendor të heqë dorë nga budllallëku i organizimit të koncerteve dhe ahengjeve elektorale në qafën e pazarit duke i zëvendësuar ato me aktivitetet që nuk cënojnë jetën e pjesëmarrësve konform protokollit higjeno sanitar të nevojshëm, dhe mbi të gjitha të hartojë politika për nxitjen e ekonomisë familjare në zonat rurale, bujqësi dhe agropërpunim, duke i lehtësuar ato nga bara fiskale në kushtet e vështira të pandemisë.

Nga ana tjetër, edhe vet qytetarët duhen të bëhen të ndërgjegjshëm në zbatimin me rreptësi të rregullave të njohura për mbrojtjen nga infektimi apo përhapja e virusit pandemik.

Është urgjente që secili të bëhet dalëzotës i vetvetes, sepse qeveria nuk ka kohë të merret me hallet e tyre, pasi ka akoma ca tendera inceneratorësh për të ndarë brenda sektit të vet kleptokratik.  

 

Aucune description disponible.
SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment