
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, është parë të enjten duke hyrë në SPAK për të marrë pjesë në seancën gjyqësore ndaj Fredi Belerit, kryebashkiakun e Himarës.
Në një deklaratë për mediat, Dule tha se Belerit po i ndalohet betimi dhe po i shkelen të drejtat e njeriut.
“Erdhëm me kërkesën që të ishim të pranishëm në këtë seancë. Kërkesës së avokatëve mbrojtës për praninë tonë iu përgjigj gjykatësja me një vendim negativ. Dëshiroj të theksoj se zoti Beleri, në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me parimin botërisht të respektuar të prezumimit të pafajësisë, në shkelje të të drejtave elementare dhe universale ndalohet të kryejë betimin si kryebashkiak i zgjedhur. Në shkelje edhe të precedentëve të krijuar gjatë viteve të shkuara në vendin tonë. Mjafton t’iu përmend rastin e një deputeti të zgjedhur që ishte i paraburgosur që u lejua të betohet dhe vijojë aktivitetin parlamentar. Çfarë ka ndryshuar na praktikat tona juridike që zotit Beleri po i shkelet kjo e drejtë elementare?”.
Kreu i PBDNJ kërkoi nga drejtësia që të trajtojë çështjen Beleri sipas ligjeve në fuqi, pasi sipas tij të pengosh Belerin nga ushtrimi i detyrës çon drejt një precedenti të rrezikshëm në jetën politike dhe juridike.