Goditet rrjeti i trafikut Kosovë-Shqipëri, sekuestrohen 46 kg tritol, zbardhet shpërthimi tek noteria në ish-Bllok

0
32

Është goditur një grup të strukturuar kriminal nga Kosova të cilët kryenin trafikim armësh e lëndësh eksplozive në drejtim të Shqipërisë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 46 kg eksploziv, 203 kallëpe tritol, i destinuar për t’u përdorur nga grupe kriminale në Shqipëri dhe 3 telefona celular dhe 1 automjet. Më herët janë sekuestruar 4 armë zjarri pistoletë.

Operacioni ka zbardhur edhe shpërthimin me eksploziv në zyrën e noterisë të Esmeralda Dautit, në zonën e ish-Bllokut, një javë më parë. Në pranga janë vënë autorët e ngjarjes: Rald Zefi, Krado Katana dhe Eno Flamuraj.

Në pranga janë vënë edhe tre shtetas nga Kosova.

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Tiranë, pas një pune hetimore 4-mujore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Si rezultat i mirorganizmit të punës në kuadër të operacionit policor të koduar “THE SAME”, më datë 04.02.2024, në afërsi të urës së Gjolës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan.

Në kuadër të këtij hetimi, u shpallën në kërkim edhe 2 shtetas kosovarë.

Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg. Kjo sasi ishte destinuar për t’u përdorur nga grupe kriminale të ndryshme, në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar edhe 3 celularë dhe 1 automjet”, thuhet në njoftim.