Grabitja më e madhe në histori, hajdutët marrin bizhuteri me vlerë 1 miliardë euro

0
137

Bizhuteri të konsideruara të “paçmueshme”, të shekullit XVIII janë grabitur këtë të hënë nga një muze gjerman, në atë që konsiderohet si grabitja më e madhe në histori. Grabitësit u futën në muzeun “Grüne Gewölbe” – “Kasaforta e gjelbër”, në Dresden në orët e para të mëngjesit dhe vodhën bizhuteri që dikur i përkisnin ish-sunduesit të Saksonisë, Augusuts.

Ekspertët e muzeut thanë që gurët e çmuar të grabitur nuk mund të shiteshin kurrë, por mediat gjermane kanë raportuar se vlera e tyre arrin deri në 1 miliardë euro, çka do ta bënte këtë grabitjen më të madhe në histori.

Kamerat e sigurisë kanë arritur të fiksojnë dy prej grabitësve brenda muzeut, të cilët pasi morën bizhuteritë u larguan me një makinë. Sipas Policisë ata kanë arritur të shkëpusin energjinë elektrike duke çaktivizuar sistemin e sigurisë brenda në muze. Mediat gjermane raportojnë se grabitësit kanë qenë trupvegjël dhe kanë arritur të kalojnë përmes një dritareje të vogël.

Deri më tani, grabitja më e madhe në histori ishte ajo e Muzeut “Gardner” në Boston, rreth 30 vite më parë, kur u vodhën 13 vepra arti me vlerë 500 milionë dollarë.

Muzeu i Dresdenit u themelua në vitin 1723 dhe në të mbahen mijëra objekte të vlefshme historike, si monedha dhe bizhuteri. Fatmirësisht ka shpëtuar pa u vjedhur guri më i çmuar i koleksionit, një diamant 41 karat, i cili ishte dërguar përkohësisht në Nju Jork.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here