Gratë e Rilindjes dikur hanin sufllaqe, sot me varëse e çanta firmato

Nga Agron Gjekmarkaj

Mbrojtja që “Rilindja” i bëri buxhetit të ri të enjten që lamë pas në Parlament na la pa mend, na topiti nga gëzimi dhe na lëngëzoi sytë prej emocionesh. Shpresa nguli rrënjët në monopatet e fantazisë popullore. E çfarë duhet arsyetimi përballë faktit, i cili të del përpara, të zë rrugën si një mur i pakapërcyeshëm nën hijen e të cilit mund të shtrihesh si ftujak i dalldisur gëzimi. Kaq ishte! Ia mbërritëm kësaj dite. Shqipëria ia hodhi të keqes teksa i ka hapur derën begatisë, mbarësisë, mbrothësisë e bereqetit. Kush nuk e sheh, kush nuk e ndien, kush nuk e prek është qorr dy sysh, i pa hajër dhe haram shtatë brezash, ndaj iu thafshin krahët se kot i ka veç për të kruar kokën!

Buxheti flet vetë, rri përballë nesh si monument suksesi. Autostrada të reja, (njëra prej tyre axurra-e kaltër, bregut të detit e premtuar në fushatë) porte, shkolla, spitale, rrugë turistike, tunele, paga e pensione europiane, fonde për beqaret që të ulin ndezullinë duke u martuar, harlisen mbi anembanë këtij trualli që ka gjetur derman pas shumë rropatjesh. Një gabim i vogël u konsumua në datë. Mund të aprovohej në prag festash që plak e i ri të gëzohej pa kut.

Gojët e liga u marrshin të keqen, qentë le të lehin, karvani i tërhequr nga qe e dema race çan përpara. Eh ky vend ka “djelm si zana”, do thoshte Fishta nëse frëngji e varrit do të ishte e hapur. Del në rrugë pas miratimit të tij dhe i sheh të gjithë më të qeshur, më të dlirur, më të qeruar nga vesi, sikur i ka cimbisur lumturia. Po të qëllojë njeriu i ngeshëm, të vjen t’i përqafosh një nga një qytetarët, të cilët ia mbërritën këtij vakti duke u çapitur mundimesh.

Sapo ke kapërcyer një epokë dhe ke hyrë në një tjetër. Ej milet, jemi në epokën e Edi Ramës hyqymet. Në këtë ditë të selametit zor se do të arrinim pa të, pa vizionin e tij, standardet demokratike, pa këmbënguljen, energjinë, dhuntitë, kulturën, perunjësinë, komunikimin, dëgjesat publike, sidomos aftësinë për të krijuar atë qeveri që ka. Në këtë ekip spikat personaliteti i fortë, CV-ja e gjerë intelektuale dhe konkretësia e revolucionit rilindas për të bërë shtet e jo kukurec.

Rilindje: çfarë fjale, çfarë bekimi, çfarë imazhi! Sot, pas tre vitesh mes nesh kafeve të Tiranës, shohim, Veqilharxhin, Kristoforidhin, Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Luigj Gurakuqin, Ismail Qemalin, Dora D’Istrian etj., burra e gra që i dhanë vetëdije e identitet këtij kombi të mishëruar tek Edi Rama, Ilir Beqja, Saimir Tahiri etj., e njëjta kulturë, i njëjti idealizëm, i njëjti përkushtim atdhetar. Ndoshta për kah idealizmi ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj mund të krahasohet me Luigj Gurakuqin që vdiq me 25 lireta në xhep, Milena me Dora D’Istrian, Lindita me motrat Qiriazi e kështu me radhë.

Idrizi mbase i ngjan Faik Konicës për nga dija dhe europianizmi se ky i fundit ishte gjiton me çamët. Ndërsa Rama shfaqet si nektar fatlum i modernitetit mes Fishtës, Naimit e Ismail Qemalit pajisur me virtytet e bashkohësisë. Ka rilindur vërtet kjo tokë halleshumë. Mjafton të shikosh ndonjë nga cucat dhe gratë e lëvizjes që u thirr “Rilindje”. Dikur në sintoni me realitetin kishin fytyrë të ashpër me brazda, tek-tuk ndonjë edhe mustaqe e push, hanin sufllaqe gjithmonë të kërcënuara nga trazimi i stomakut, nga qeverisje e keqe, nga fajet e Saliut.

Mbuloheshin, nuk visheshin me çfarë u ndodhej në sënduk, a çfarë u kishte lënë aneja trashëgimi, petka të qepura në ilegalitet kur kërciste dyfeku ndaj taljanit e gjermanit. Tani ka lezet t’i këqyrësh, butësia dhe eleganca e veshjeve, e kundrave apo çantave, e unazave e varëseve të surprizon me larushinë e ngjyrave dhe thekjen për të begenisur firmat më në zë. E gjithsa pa i hyrë në hise aspak buxhetit të shqiptarëve. Gabim e kanë të gjithë ata që mendojnë se janë bërë një me korrupsionin, se kjo është arrogancë që ta plasin turinjsh pa takt.

Jo more jo, është miradije, klas, qytetari, tharm perëndimor e kush nuk e kupton, është fëmijë i smirës, zilisë, injorancës dhe orientalizmit otoman, të cilit Avokati po i vringëllon shpatën çdo ditë duke bërë namin mbi ato taborre si Skënderbeu kohë e vakt. E mbrojtën, argumentuan, u djersiten për buxhetin, i cili ul hematomat e xhanit e mullanë që shtyp midenë. Lodhen të ngratët ministrat tanë, këputen, u bie bretku, por më shumë nga të gjithë Ai, po i bie mjekra shahit, po i zbardhet, eh medet.

A nuk mjafton pikëllimi i Beqes për të të këputur shpirtin dhjetë vjet rresht? U bë copash për atë “check up” për të bërë viruset zap, dha për të qindra milionë euro. Kush nuk e thërret zabiti i mikrobeve me koncesion, i ha hakun. Ky ekzekutiv të bën me krahë më shumë se këndellja që vjen nga të thithurit hashash. Me fjalët e tij mund të fluturosh më lehtë se mbi një pije energjike, siç pretendon një reklamë. Kështu, mund të shkosh tek Erdogani, mund të zbresësh në mes të sheshit të kuq në Moskë te Putini dhe Brukselit le t’i bëhet syri cakërr nga plasja.

Ej, është Edi Rama ky dhe shakatë i bën terbiet. E patë çfarë buxheti bëri? Horrllëku e mizëria të gjejnë vrimë e të futen. Ky moment epik, ky çast i epërm sapo na ka trokitur dhe mua më shkohet drejt bibliotekës, ku marr në dorë “Lahutën e Malcis” dhe e hap. Lexoj! “Preng Markola prej Mirdite po shkëlqen porsi hyll drite”. Ndoshta vërtet luftëtari i Oso Kukës në Vraninë e ka merituar atë shfrim poetik, por sot më shumë se kushdo tjetër në eposin qeveritar ato vargje i shkojnë për shtat ministrit të Ekonomisë kombëtar, zotit Arben Ahmetaj. Ai ia preu shtatë kokat krizës si kulcedër, kufomën e së cilës e rrasi shtatë pash nën dhe duke i ngjeshur edhe një shqelm në të prapme.

Ky sukses i madh i Edi Ramës nuk do të ishte kurrë ky që është pa armën e tij magjike, pa këtë shtetar të madh që mbyll shpella financiare e hap kantiere, që mbledh taksa e shpërndan drithë e rroga, që pastron sheshet nga papunësia dhe fut në shtëpitë shqiptare aromën e dashur të djersës që rrjedh nga puna e ndershme. Vërtet nuk ka studiuar për ekonomi, por ç’i duhej, kohë e humbur do të qe! Ajkën e viteve, lulen e rinisë si zambak, ia ka falur studimit të një gjuhe të madhe të mendimit e shkrimit botëror, pikërisht asaj angleze. I bëri të enjten të gjithë kundërshtarët e buxhetit t’u thahet pështyma.

Ndërsa ministri Tahiri kur shihte kundërshtitë prej axhaminjesh, tunte kokën si bablok e qeshte hidhur si të gjithë ata që forcën e kanë tek e vërteta dhe dobësinë te mburrja. Manuali bukolik “Bagëti e bujqësi” i Rilindjes së parë a nuk e përshkruante Shqipërinë si vend të gjelbër mbushur me bukuri? A s’ka të drejtë Tahiri të mburret me suksesin e tij? A nuk është sot Shqipëria e rilindur një vend i gjelbër ku mund të pushosh nën gjethet palloshe të hashashit, ku rreze e diellit të merr të keqen? Madje kur të gjithë qeshin me shakatë e kripura të “Duces”, ministrja Harito hesht në shenjë dinjiteti.

Falë profesionalizmit tashmë të certifikuar kur bëhet fjalë për paratë e shqiptarëve dhe teknologjinë e lartë, i kërcet grushtin mbi tavolinë vetë Kryeministrit Edi Rama, i cili në këto dekika dridhet si purtekë. Ja ku mbërriti e vërteta përgjakur betejash. Buxheti i fundit flet vetë.

Ai zbret në fshat e në qytet ngarkuar me fitore si partizanët motit. Eh çfarë fati të jetosh në këtë epokë, ta konstatosh, të shkruash për të, të sensibilizosh lexuesit e mbi të gjitha ta ruash brenda vetes si një kujtim të ëmbël nga qeveria e Edi Ramës, buxhetin i cili përrallën e shndërron në histori dhe kacamisrin në ciklop falë gjithë parimeve tradicionale të mrekullisë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment