Grupi hetimor në Policinë e Tepeenës, konfirmon se Festim Kanushaj, është vetvrarë me armën e zjarrit të cilën e mbante pa leje. Përfundimi ka ardhur pas 24 orësh bazuar mbi provat në terren dhe analizat balistike në armën e zjarrit dhe në trupin e kufomës së pajetë. Mendohet se qitja në trupin e vet, është bërë në mënyrë të vullnetshme, pasi Kanushaj, ka drejtuar pushkën që mbante pa leje, në drejtim të kraharorit dhe distanca mes tytës së armës dhe trupit, ka qenë jo më shumë se 1 cm. Kjo është vërtetuar falë ekspertizës mjeko-ligjore që është kryer në trupin e 32 vjecarit Kanushaj me kërkesë të grupit hetimor. Familjarët e të ndjerit, një ditë më parë, patën deklaruar se njeriun e tyre, e kishin gjetur të mbytur në gjak pasi kanë dëgjuar një të shtënë të vetme që ka ardhur nga pjesa e prapme e shtëpisë në fshatin Zhapokikë. Menjëherë ata kanë shkuar të shikonin se cfarë kishte ndodhur dhe kanë parë Festimin të shtrirë përtokë të goditur me armë zjarri. Ata në momentin kur e kanë përcjellë në spital u ka vdekur rrugës. Më pas janë pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore në Policinë e Gjirokastrës ku kanë dhënë dëshminë e tyre rreth ngjarjes në fjalë. Një prej pistave që heton sot organi i akuzës në Gjirokastër, është se vetvrasja ka ndodhur për arsye se viktima, kishte shpenzuar 10 mijë euro, për kultivimin e kanabisit në zonën e Luftinjës e cila njihet si një ndër lokacionet me më tepër kultivime në rrethin e Tepelenës e rrjedhimisht edhe të Qarkut të Gjirokastrës. Policia e Gjirokastrës gjatë javëve të fundit, pas disa intervenimeve në terren për shkatërrimin e parcelave me hashash, shkatërroi edhe disa të mbjella në Zhapokikë ku disa prej të cilave, mendohet se kanë qenë pronë e Kanushajt.