Haberet e Mitros. Guide turistike per Permetin/ Nga Mitro Cela

0
699

Shënim: Disa miq më bënë një vërejtje. Në listën e personaliteteve te Përmetit, kisha harruar disa vipa. Ndërkohë mora vesh dy habere nga ministrja e kulturës zonja Kumbaro:

1. Lagjja e vjetër është shpallur zonë e mbrojtur nga UNESKO.

2. Do investohet në Gurin e Qytetit.

Nga këto sebep po e ribotoj haberin me disa shtesa.

PËRMETI SIPAS EDITH DURHAM

U bëmë grup. Morëm rrugën për në Përmet. Kafen e pimë në Fier. Nisa të mbaj llogo, duke cituar Edith Durham. Çupa kishte qënë në Përmet, dy shekuj më parë.
“… Ishte vigjilja e Pashkeve dhe shtepitë e të krishtërëve zienin nga pergatitjet për “pastrimin e pranverës”, e cila nuk ishte gjë tjetër vec pastrimit të pashkëve. Çdo dhomë duhej pastruar me rrënjë dhe lyer me gëlqere….. Në kodrën mbi qytet ngrihen germadhat e një kalaje të kohës së Ali Pashës. Rrija dhe sodisja qytetin nga germadhat e kalasë, e ndoshta edhe nga që vija nga vise të shkreta shkëmbore, Permeti me qiparisat e lartë, dushqet e purpurt dhe gjelberimin e pranverës, m’u duk si një nga vendet më të bukura të botës…”

FAMILJA FRASHËRI

Përmeti është simbol i familjes Frashëri. Normale. Naimi, Samiu dhe Abdyli hodhën themelet e Rilindjes Kombëtare. Nuk mund të gjesh shqiptar që të mos dijë të recitojë disa vargje nga poema: ”O malet e Shqipërisë…”
Samiu, autori i librit:” Shqipëria çfarë ka qënë, çështë dhe çfarë do të bëhet”, është babai i eciklopedisë turke, si Denis Diderot për eciklopedinë franceze.
Nga dera e Frashëllijve është edhe Rifat Frashëri- ish drejtor i Institutit Bakteologjik në Stamboll, një nga autorët që zbuloi vaksinën kundër tërbimit, në fillim të shekullit të 20-të. Ka edhe pinjollë të tjerë në Panteonin e Shqipërisë: Publicisti dhe shkrimtari Mit’hat Frashëri- Lumo Skëndo.
Historini i ditëve tona Kristo Frashëri. Me nam ka qënë edhe aktori Naim Frashëri…Por edhe Zavalani ka dishepujt e vet…Tahir Zavalani ka shkelqyer më shumë…
Nga Përmeti ka qënë me origjinë Elena Gjika, Dora D\Istria.
Nga Përmeti ka qënë Turhan Pasha Përmeti, ministër i Jashtë dhe ambasador i Turqisë në Shën Petërburg, guvernator në Kretë. Dy herë kryeministër në Shqipëri, pas Ismail Qemalit.

PERSONALITETET DJE DHE SOT

Një mal me baltë u mundua të hidhte Enver Hoxha mbi Sejfulla Malshovën. Profesor në universitetin “Lomonosov” të Moskës. Dishepull i Trockit dhe Buharinit. Ministër i Kulturës dhe Sekretari Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë në vitin 1946. Idetë e Sejfulla Malshovës për reformat në ekonomi, përbëjnë bazën e socialdemokracisë shqiptare. U internua në Fier në vitin 1947-të. Vdiq në vitin 1971. Për në varreza, arkivolin e shoqëroi vetëm karroca e komunales?!
Deputet i Përmetit, Stavro Vinjau në qeverinë e Fan Nolit ( 1924) kishte dy portofole: ministër i arsimit dhe ministër i drejtësisë. “Lapidar” idea e thënë nga Vinjau në parlament: Taksat e përmetarëve të përdoren në Përmet.
E dini si hyri në politikë Ali Këlcyra? Beu ishte poliglot. Dinte Gjermanisht, Italisht, Ferngjisht, turqisht, greqisht etj. Në vitin 1913 në Shqipëri erdhi mbreti Vid! Duhet të mbante fjalim edhe Mbretëresha Sofie. Fjalimin ja përgatiti Ali Këlcyra. Ishte vetëm 22 vjeç. Pas 10 vjetësh u bë deputet në parlamentin e Fan Nolit.
Janë të rrallë ata që e dinë se vendin e Fan Nolit në kishën Autoqefale të Amerikës e ka zënë një përmetar nga Malshova: Peshkopi Stefan Laskaj. Në majat e kulturës është edhe At Stath Melani.
Ollga Pëllumbi. Publiciste e njohur në vitet ’30. Deputete ne vitin 1945. Kryetare e parë e gruas antifashiste shqiptare.
Po sot? Nga Përmeti janë deputetët: Genc Pollo. Arta Dade. Vladimir Kosta. Nga Përmeti kanë qënë deputetë: Dashnor Mamaqi, Simon Stefani, Vasil Gjika, Antoneta Çelo – gruaja e Ferdinat Dedës, Mitro Çela, Flamur Hoxha etj.
Artistët kanë shumë simbole për Përmetin. Në kulmin e skulpturës kombëtare, ka zënë vend Odise Paskali. Me shumë famë janë edhe skluptorët Jani Paço dhe Hektor Dule. Kush mund të “matet” me publiçistin Nonda Bulka? Studjuesit Stefanaq Pollo. Gjuhëtari Androkli Koçollari. Agronomi Mentor Permeti. Nga Përmeti ishte Mentor Xhemali. Në Përmet jetoi “ustai” i madh i klarinetës Laver Bariu. Pak janë ata që e dinë se Tefta Tashko Koço, Tedi Papavrami dhe Anjeza Shahini, janë nga Përmeti. Edhe Shkëlzen Doll mamanë e ka nga Përmeti.
Nga Përmeti janë shkrimtari Kasem Trebeshina dhe poeti Bardhyl Londo, regjizor Gëzim Kame, aktorët dhe regjizorët Alfred Buhalioti dhe Serafin Fanku. Muzikologu Vaso Tole. Studjuesit Kastriot Bezati dhe Nuri Dragoti. Stilioano Adhami, njeriu që gjithë jetën shkruan për Përmetin. Shkrimtari Betim Muço. Poetët Lliko Nano dhe Dashamir Zaçe. Kush nuk e di duhet të mësojë se edhe Rudina Xhunga. Ermal Mamaqi dhe Sonila Meçen janë nga Përmeti. Emra të mëdhej ka në mjekësi: Matho Nakuçi, Kristo Pano, Polikron Çelo, Thoma Kristo, Kiço Ndoni, radjollogu Petrit Selenica.

GRYKA E KËLCYRËS

Kapërcyem urën e Dragotit…Futemi në luginën e Vjosës. Për mua. Nga bukuria. Madhështia. Egërsia. Teket e natyrës për të kombinuar lumin. Me pyllin. Me malin. Me lëndinën. Vështirë të gjesh një të tillë, ndoshta në gjithë Ballkanin. Nuk do jetë e largët dita, kur në këtë luginë do luhet golf….Parajsë e shkuar parajsës, në këtë cep të Ilirishtes!
Themi të Ilirishtes, sepse po të marrësh “Shtegun e Pelës”, ngjite malit përpjetë dhe mbrin në fshatin Kala, ku gjenden rrënojat e një kalaje ilire…
Në Grykë të Këlcyrës na ndjek historia. Në hyrje- Sarajet e bejlerëve të Këlcyrës. Me famë në Ballkan. I dogjën grekët në Luftën e Parë Botërore.
Gjyshi i Ali Pashë Tepelenës, komiti i njohur Muço Hysa, ndërtoi urën që i dha emrin e tij. Në mbyllje të Grykës së Këlcyrës, është ura e Dragotit. Unikale në vend. E ndërtuar me hekur. Pa as një mbështetës. Në qëndër është ngritur impianti i ujit “Trebeshina”. Në krah të tij është ndërtuar Manastiri i Shën Kollit me varret e ushtarëve grekë.
Në këmbë të malit të Trebeshinës, karshi malit Golik, atje ku gjarpëron lumi i Vjosës, në Grykën e Këlcyrës, është një rrip toke. Në lumë, derdhen disa ujëvara, madhështore. Aty është krijuar një “qytezë” me katër-pesë restorante dhe hotele. Konkurenca u ka dhënë jetë gjëllëve gjithë lezet, që në shekuj kanë gatuar përmetaret…Vendosëm të hamë drekë.
-Rakinë e kemi ballë kazani, -tha pronari… Të merr mëndjen, por nuk të jep dhimbje koke, si rakia e koçimares!…Vera e kuqe merlot…Ka dalë e plotë, e flamosura! Po të shtosh edhe një gotë uji burimi, stomaku punon si sahat “Omega”! E ka thënë edhe Noli: “Do të hash e të bësh qejf/ Sofrën shtruar si për mbret/ pastërtore e për hyqmet/ të tillë gjën veç në Përmet”.

GURI QYTETIT

Vazhduam rrugën…Ja edhe qyteti. Cili është simboli i Përmetit? Kush shkon në Përmet për herë të parë thotë: Guri i Qytetit. Normale. Përfytëroni një shkëmb 42 metra të lartë dhe me sipërfaqe 650 metra katror, që ka “hapur” themelet buzë Vjosës. Të jetë shkëputur shkëmbi nga mali i Dhëmbelit? Ndoshta. Këtë thonë gjeologët. Por legjenda flet ndryshe: Gur perëndie. Ka ardhur si dhuratë nga qielli, për ti dhënë edhe emrin qytetit. Kush beson në legjenda, le të lexojë historinë.
Mesjetë. Kryezoti i krahinës Prendi, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e Qytetit një kala. Sot kalaja është rrafshuar. Kanë mbetur muret, dëshmi e legjendës. Ishte fundi i shekullit të 14-të. Ushtria e Sulltan Mehmetit, pushtoi Janinën. Pas Janinës i erdhi radha Përmetit. Prendi kishte vdekur. Kryezot i qytetit ishte nipi i tij, Gjergji. Kishte një vajzë, Diestrën me foshnjë në gji. Një natë turqit mbritën në qytet. Kryezoti ishte jashtë tij. Në kështjellë ishte vetëm vajza. Turqit kërkuan çelsat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës. Diestra mori në dorë djepin me djalin, dhe u hodh nga maja e shkëmbit. Në rrëzë të Gurit të Qytetit, gjendet një gur i lëmuar ku u përplas Diestra. Mbi gur disa shënja: Dora e foshnjës ose vijat e djepit. Këtë thotë legjenda.

Po sot? Ministria e Kulturës po bën projektin dhe do derdhi fonde për ti dhënë jetë Gurit të Qytetit. Bukur, po të shtohet edhe fakti se është duke përfunduar sheshi dhe shëtitorja buzë Vjosës.

BAÇEVANËT

Baçevanët nga Përmeti, kanë qënë me famë në gjithë Ballkanin. Kanë kultivuar aqë shumë lloje e soje, sa që trëndafilat lulëzojnë në çdo stinë. Por permetaret kanë edhe një “sekret”: Prodhojnë ujë trëndafili. Me këtë ujë, lahen dhëndri me nusen ditën e dasmës! Asnjë parfum nuk mund të krahësohet me ujin e trëndafilit!
Ujët e trëndafilit, përdoret edhe si “delikatesë” në glikotë me famë shumë që bëjnë nikoqiret e qytetit! Për kureshtarët. Pronari i hotel “Alvero”, ka një relike: Pajisje për të prodhuar ujë trëndafili! Është blerë në Stamboll dy shekuj më parë!

KISHAT DHE TEQETË

Ditën e parë vizituam tre kisha. Në Kosinë kisha është ndërtuar në shekullin e 12-të. Në Leusë në shekullin e 17-të. Po kaqë e lashtë është edhe kisha në Badëlonjë. Mes nesh u futën edhe tre japonezë: Kishin lexuar në internet për bukurinë e kishave. Ja vlen të vizitohen edhe kishat e Shën Kristoforit në Malshovë ose Shën Mërisë në Lipë. Nuk është humbje kohe të kalosh disa orë në Teqenë e Alipostivanin a Teqene ne Sukë.
Përmeti ka 15 kisha dhe 4 xhami.

TRADITA NË GATIM

Në Përmet restorantet, baret, hotelet, kafenetë janë shtuar si “kërpudhat” pas shiut. Mes restoranteve shkëlqen : “Familjari” dhe “Antigoneja”. Po pse? Sepse pronarët kanë kthyer sytë nga tradita. Pse kjo metamorfozë?
Vitet e fundit janë shtuar turistët nga Italia, Greqia, Gjermania, Japonia, Austria, Franca. Turistët shijojnë gjëllët e traditës dhe likotë.

HANI I COLES

Për darkë, i thash ekipit, do kemi një suprizë…Lamë prapa Përmetin dhe morëm rrugën për në Leskovik. Pasi bëmë nja pesë a gjashtë kilometra, u kthyem majtas. Makina ndaloi. Karshi nesh një përrua. Buzë përroit kishte hedhur shtat një pyll shekullor. Nën më të madhin dhe më të lartin rrap, një përmetar babaxhan kishte hapur një restorant.
Zumë vend në tavolinë. Afrohet e zonja e konakut…Kemi mish nga të egërsirave: Sorkadhe, lepur të egër, qafë ariu, dhi e egër! Kemi edhe mish thëllëze, qafka! Byrek. Lakror. Turshi.
-Si po të shkon bujtina?
-Kam 12 dhoma. Nga marsi deri në nëntor i kam të pronotuara. Turist nga Gjermania, Polonia por edhe nga Italia. Flenë. Ushqëimin e marrin me vete. Ecin në këmbë. Shkojnë deri në Çajup.
Turistët ngjiten edhe në malin e Nemërçkës, që është mali i dytë më i lartë, pas Korabit. Kush pëlqen natyrën i shton vetes nje pamje të rrallë: Cjep të egër që ruajnë kopenë me -5-6- dhi e kecër të egër. Kush e ka guximin në gjak- vijon aventurën në vargmalin Nemërçkë, Dhëmbel, Trebeshinë…

LANGARICA: LLIXHAT DHE KANIONET

Lëmë pas “Hanin e Coles” dhe vazhdojmë rrugë. Ja edhe lixhat. Me famë që nga lashtësia. Të njohura në kohën e Zogut. Sot janë hapur 5-6 lokale. Bashkia ka investuar për të ndërtuar një bazen me ujë mineral. Në behar vështirë të gjësh vend të lirë. Shqiptarë e të huaj bashkë.
Mbi lixha një Ura Otomane e Katiut. 100 metra më sipër nisin kanionet e Langaricës. Nga më të bukurat e Shqipërisë. Madhështore si kanionet e Osumit në Skrapar. Aty është edhe Ura e Dashit dhe “Shpella e pëllumbave”.
Kush ka guxim të bëjë rafting, niset nga Frashëri, ecën nëpër lumin e Langaricës dhe vazhdon në lumin e Vjosës.

FRASHËRI DHE BREDHI I HOTOVËS…

Ditën e dytë morëm rrugën për në Frashër. Rruga, rreth 8 kilometra e gjatë, gjarpëron nëpër Bredhin e Hotovës. Është platacioni më i madh me bredh në Ballkan: 1200 hektarë. Brdh shekullore ku jetojnë arinj, lepuj dhe derra të egë. Vend ideal për turizëm dhe gjyeti.
Ja edhe Frashëri i famshëm. Është tharë nga banorët. Vetëm tre- katër shtëpi. Por ja vlen të vizitohet për:
1. Muzeumi i Familjes Frashëri. I ngritur që në vitin 1975. Çdo vit, më 25 maj, pret vizitorë nga gjithë trojet shqiptare.
2. Teqeja e Frashërit. Dikur qëndër arsimi. Sot vend peligrinazhdi për beshaktinjtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here