Hapen 29 qendra/ Kujdes shëndetësor 24 orë për pushuesit, nga veriu në jug

0
22

 

Në zonat turistike të vendit janë hapur 29 qendra shëndetësore, për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët që do të frekuentojnë Shqipërinë këtë sezon veror.

Nuk ka rëndësi se ku pushuesit do të zgjedhin të kalojnë pushimet këtë sezon në veri, pasi Qeveria ka garantuar kujdes shëndetësor 24 orë në 24, nga veriu në jug, për një sezon turistik të sigurt, ka bërë ët ditur kryeministri Edi Rama, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook, ka zbuluar edhe shifrat e sistemit për zonat turistike.

29 qendra shëndetësore me shërbim 24/7 në zonat turistike

160 mjekë dhe infermierë të trajnuar për emergjencat

Barna dhe materiale mjekësore të garantuara

Në ndihmë qytetarëve dhe turistëve, do t’i vijë edhe Urgjenca Kombëtare, për çdo emergjencë shëndetësore.

Janë 29 QSH verore 24-orëshe të hapura në të gjithë vendin, nga veriu në jug, nga zonat turistike malore në bregdet përgjatë sezonit turistik veror gjatë periudhës 15 qershor–15 shtator.

Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjoll, Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalëzit, Currila, Plazhi i Vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24-orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit.

Në rajonin e jugut funksionojnë këto qendra shëndetësore verore: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin e Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum; Në Bashkinë Himarë: Palasë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i vjetër dhe Ksamil i Ri.

Shkruaj nje koment