Haradinaj: Rama ka qenë i angazhuar për ndarjen e Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Edi Rama ka qenë i angazhuar në projektin e ndarjes së Kosovës.
“Ka qenë i angazhuar kryeministri Rama në opsionin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, i njohur si shkëmbim i territoreve por që do të rezultonte me ndarje të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se që në momentin kur Rama i bëri më të shpeshta takimet e vizitat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka nisur ideja për ndarjen e Kosovës.
“Zotëri Rama ka qenë i kyçur që në inicimin e kësaj mënyrë të marrjes vesh jo vetëm Kosovë-Serbi, por edhe një marrëveshje paqeje shqiptaro-serbe”, është shprehur ai.
Ai ka pranuar gjithashtu se ka pasur “përplasje” mes tij dhe Ramës kur ishin të ftuar në shtëpinë e Presidentit Thaçit.
Kujtojmë se kryeministri Rama ka ngritur zyrtarisht padi ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj. Rama e akuzon Haradinajn për shpifje dhe kërkon kompensim të dëmit.
Padia me mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat që ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.
Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment