Hashashi! Amin/Amen

0
604

Nga Lutfi Dervishi

 

Tek borgjezi fisnik i Molierit, personazhi kryesor është shumë i kënaqur. I kënaqur sepse ka mësuar se ç’është proza!

– Oh proza, proza?! Po unë prozë kam folur gjithë jetën!

Sot në vend të fjalës prozë mund të vendosim lehtësisht fjalën mariuanë!

Nëse deri dje, ndokush kishte kureshtje se ç’është mariuana, sot nuk besoj se ka më. E gjen kudo në Shqipëri, me përjashtim të Lazaratit! Në kodra dhe fusha, në male dhe në sera, pranë aeroportit dhe në alpe, në vazo dhe tashmë e sheh edhe në ekranin e televizorit.

Hashashi po kthehet në lulen kombëtare të Shqipërisë dhe në arritjen më të madhe të qeverisë! Me këtë ritëm, pritet kur të vijë propozimi që në vend të shqiponjës dy krenare në flamur të vendosim një gjethe mariuane. ( Shqiponja për herë të fundit është parë në këto troje në ish stadiumin. Qemal Stafa në Tiranë, në nje ndeshje futbolli që dyshohet se ka qenë e pa trukuar), ndërsa mariuanën po e shoh edhe tani që po kqyr në ekranin e televizionit që kam përpara.) Po të ishte gjallë Faik Konica do të thoshte: hashash t’u shoftë fara/ngado shkoj më del përpara!

Drapërinjtë dhe kosat bëjnë punë vetëm për kronika televizive dhe postime në facebook. Duhen autokombanja për të korrur prodhimin e mbarë! Raportimet zyrtare flasin për miliona rrënjë të korrura dhe në brigjet italiane janë dhjetëra tonelata hashash të sekuestruara.

Sasi  të tillë, prodhimi Shqipëria nuk ka raportuar as në vitin e largët, 40 vite më parë, më 1976, kur i kumtoi botës realizimin e bukës në vend!

Po t’i besosh raportimeve zyrtare plantacionet me hashash janë mbjellur kryesisht në toka pa pronar! Nëse kjo është e vërtetë atëherë e zgjidhëm problemin me kompensimin e ish pronarëve. Sikur të ishte e vërtetë!

“Në fillim situata ishte serioze, por jo e pa shpresë. Tani është e pashpresë, por jo serioze”. Dhe për ta mbajtur të lartë nivelin e budallallepjes kolektive, vijnë në ndihmë edhe deklarata nga ministra e deputetë të shumicës të tipit: “po luftojmë pa dallim”, “ky problem ka qenë edhe më parë”, “është rritur fuqia goditëse” “edhe vende të tjera ndeshen me këto probleme” dhe qershia mbi tortë është kumti: “lexoni raportet e ndërkombëtarëve”. Seriozisht?!

Pas nuk mbeten as numrat me numrat : “po luftojmë në 97.48% të territorit dhe krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit kaluar ka një rënie me 0.38%!…

Kjo nuk është e gjitha: mund të kemi probleme edhe me kompaninë që ka në konçesion aeroportin e Rinasit! Tani është vërtetuar se fluturim me avion bëhen edhe nga pista të tjera në Shqipëri! Asgjë nuk çudit më askënd! Edhe sikur të zbulohet nëndetëse, përgjigja do të jetë: i kemi mbyllur të gjitha shtigjet nga toka dhe ajri dhe trafikantët kanë zgjedhur detin!

Nëse ushtari mirë Shvejk do të dëgjonte këtë kor do të përsëriste: O Zot, mirë që janë çmendur, po pse të gjithë në një ditë?!

Si një vend i krijuar 103 vjet më parë nga një konferencë ambasadorësh, ambasadorët nuk janë thjesht ambasadorë. Por për hashashin snuk. U ngjajnë pak astrologëve të Kostandinopojës, që kur digjej Kostandinopoja, ata vijonin të qetë punën e tyre duke vëzhguar yjet. Dhe në një vend ku njerëzit jo vetëm shohin ëndrra ditën për diell, por edhe prrallisin në diell, heshtja e ambasadorëve i lë vend legjendave urbane: e kanë toleruar vetë, ka një marrëveshje mes të mëdhenjëve”, “nuk ka mënyrë tjetër për të ndihmuar Shqipërinë në këto kohë krize” etj etj. Dhe kur ambasadorët flasin edhe për motin, edhe për ndalimin e duhanit, por nuk nxjerrin zë për hashashin,njerëzit jo vetëm besojnë, por nisin dhe predikojnë dhe më tej stigmatizojnë ata që nuk janë përfshirë në këtë zeje të krimit!

. ‘Nuk ka vdekur njeri nga hashashi’, “lërini njerëzit të bëjnë ca para”, “kështu është bërë gjithë bota”, “kur nuk flasin të mëdhenjtë ç’punë ke ti…”

Në një vend ku e sotmja, e tashmja, momenti, merr përparësi ndaj së nesërmes, së ardhmes, perspektivës, të flasësh për dëmet e hashashit rrezikon t’i ngjash njeriut që merr shatin dhe prashit në det!

Por… askush nuk mund të thotë se transporti i tonelatave me hashash, miliona rrënjë të mbjellura, avionë që ngrihen dhe bien në pista të vjetra e të reja, u bëkan pa dijeni të policisë! Mund ta thonë. Vend i lirë jemi, madje shumë i lirë, por të mos presin ta besojë kush.  Policit që  nuk i shpëton as kotelja në rrugë, si i shpëtokan tonelata hashashi dhe pista avionësh?!

Në revistën monitor është botuar një artikull shumë i mirë për efektin negativ në ekonomi të hashashit! (Lexo …http://www.monitor.al/ ekonomia-shkaterruese-e- hashashit-2/)

Politikisht cikli është i qartë: hashash- para dhe me paratë futja në politikë! Ky Kuvend i kriminalizuar që kemi do të na duket si qershiat e Nastradinit, jo dhe aq i lagur, kur ta krahasojmë me atë që do të kemi!

Sot është vonë! Sot jemi dëshmitarë! Nesër nuk mbetet gjë tjetër veçse të bëhemi besimtar dhe të besojmë në mrekulli!

Të besojmë se në vendin që u ndalua me ligj pirja e duhanit në publik, do të ndalohet edhe kultivimi hashashit.

Ku vemi?

Dhe Shvejku do e kishte edhe për këtë rast përgjigjen: në BE ne po vemi/kush s’beson borxh s’ia kemi!

Me punën tonë dhe me ndihmën e pa kursyer të ndërkombëtarëve! Amin/Amen

SYRI.net

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here