Hetimet për Dakon, VOA: Një nga figurat më të larta të PS, i shpallur “non-grata” për korrupsion

0
90

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi sot mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes për të cilën është marrë i pandehur ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe 10 persona të tjerë, nga të cilët 7 janë ish punonjës të Bashkisë.

Zoti Dako, u arrestua në qershor të këtij viti, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në dy raste: procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë si dhe procedura e prokurimit “Shërbim konsulence” për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me një fond prej 21 milionë lekësh.

Për rastin e pallatit, Prokuroria e Posaçme thotë se “gjatë miratimit dhe zbardhjes/protokollimit të lejes së ndërtimit, të miratuar me vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Durrës më 28 Shtator 2011, në favor të Shoqërisë “Fakle sh.p.k”, janë kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e Kryetarit të Bashkisë dhe nëpunësve të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, të cilat konsistojnë në protokollimin/zbardhjen e lejes së ndërtimit në datën 14 Tetor 2014, ttre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë”.

Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se “pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, janë hartuar në mënyrë fiktive dhe të gjithë dokumentet që përpilohen dhe administrohen nga subjekti ndërtues dhe zyrtarët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, duke hartuar dokumentet përkatës për të gjitha fazat në të cilat ndodhej ndërtimi, ndërkohë që është provuar me prova si pyetje e dëshmitarëve dhe ekspertimi përkatës, që ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ishte i banueshëm.

Në këtë mënyrë – vë në dukje Prokuroria e Posaçme – është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës”.

Shkruaj nje koment