Historia e gjyshit 84 vjecar,mos hiqni dorë nga ëndrrat

0
50

Për 84 vjeçarin italian Carmelo Ferraro rikthimi në shkollën e mesme ishte ëndrra në sirtar, që nuk mund të realizonte këtu e 68 vite të shkuara. Një ëndërr të cilën u desh ta ndërpriste në mes për shkak të problemeve ekonomike, por edhe jetës që krijoi vite më vonë. Historia e këtij gjyshi simpatik që iu rikthye studimit për të marrë dëftesën e shkollës së mesme, na provon për të disatën herë se nuk jemi kurrë të vegjël a të mëdhenj për të përqafuar dijen. Rasti i gjyshit nga Rho, provincë e Milanos, është bërë së fundmi publik dhe ka emocionuar jo vetëm popullin italian .

’U bënë 10 vite që jetoj vetëm, mes kujtimeve të bashkëshortes sime të ndjerë dhe vizitave gjithnjë e më të rralla të fëmijëve e nipave. Miqtë e mi më të mirë nuk jetojnë më, ndaj rikthimi në shkollë ishte një lloj strehimi nga vetmia, por më pas zbulova se duhej ta bëja këtë për veten. Kam punuar që në moshë të vogël, jam kujdesur që familjes sime të mos i mungojë asgjë, por duhej ta bëja këtë gjë për veten para se të ishte vonë. Fillimi nuk ishte i thjeshtë pasi të gjithë shokët e shoqet e mia të klasës ishin të rinj, si dhe nga kombësi të ndryshme, por më pritën krahëhapur. Nuk kam munguar asnjë ditë të vetme këto 4 vite, isha gjithmonë aty çdo ditë nga ora 18 deri në 21.”-rrëfen ai.

Rasti i gjyshit 84 vjeçar që nuk hoqi kurrë dorë nga ëndrrat, ka tërhequr edhe vëmendjen e kryebashkiakut të Rho-së, zotit Pietro Romano, i cili e ka quajtur hero të dijes. ‘’Shkolla është një dritare që të lejon të zbulosh horizonte të reja. Uroj që historia e tij të frymëzojë të gjithë ata të rinj që kanë braktisur studimet, ose që besojnë se nuk ia dalin dot mbanë. Nuk është kurrë vonë për të sfiduar veten.’’-përfundon ai.

Shkruaj nje koment