Holanda vë kusht hetimin e krimeve zgjedhore: Shqetësuese shitblerja e votës dhe skandali i patronazhistëve

Qeveria holandeze i ka dërguar një letër parlamentit të këtij vendi, me një analizë sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë. Letra, e cila dërgohet rregullisht në parlament kur afrohet diskutimi për nisjen e mundshme të negociatave, këtë herë ngre shqetësimin e problemeve me zgjedhjet.

Temat e ngritura si shqetësim i madh në lidhje me çështjen e Shqipërisë kanë të bëjnë me përdorimin skandaloz dhe të paligjshëm të të dhënave personale te shtetasve shqiptare nga Partia Socialiste në pushtet. Këtu përfshihen edhe të dhënat e shqiptarëve që punojnë në stafin e ambasadave të BE, të cilëve u është vendosur nga një patronazhist për t’i mbikëqyrur vijën politike.

Një tjetër pikë e rëndësishme e cituar në letrën që qeveria i ka dërguar parlamentit holandez është dhe ajo që lidhet me krimin elektoral që ka ndodhur më 25 prill.

Qeveria holandeze duket se ka cilësuar si problematik procesin zgjedhor duke cituar raportin paraprak të ODIHR për parregullsitë dhe blerjen e votës. Sipas letrës, vërehet se ODIHR ka shprehur “shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore ose funksioneve nga qeveria dhe personave të tjerë publik.

Letra përmban qartësisht togfjalëshin “blerje votash” i cili raportohet të jetë shkruar në raportin paraprak të ODIHR dhe i kërkon gjithashtu KQZ dhe instancave të tjera të që trajtojnë këto çështje jetike për demokracinë. Sikundër argumenton se opozita ka çuar në SPAK 33 raste të tilla abuzimesh dhe blerje votash për të cilat duhet të ketë një përgjigje dhe hetim nga ana e SPAK.

“Qeveria holandeze e konsideron të rëndësishme që rastet e manipulimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK. Përveç kësaj, ekzistenca dhe rrjedhja e një baze të dhënash me informacione personale të ndjeshme, që shkaktuan shumë bujë pak para zgjedhjeve, duhet të hetohen gjithashtu.

Raporti përfundimtar i ODIHR nuk është publikuar ende. Qeveria e konsideron të rëndësishme që çdo rekomandim në këtë raport të ndiqet në kohën e duhur.

ODIHR ka bërë thirrje që parregullsitë, përfshirë blerjen e votave, të raportohen në Këshillin Zgjedhor dhe autoritetet e tjera në mënyrë që këto çështje të trajtohen menjëherë. 33 padi janë bërë tashmë pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Reformat për sundimin e ligjit janë ende larg kompletimit dhe për këtë arsye do të jenë thelbësore për procesin e gjatë pas hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë,” thuhet në dokument.

Ndonëse letra e qeverise holandeze i kërkon parlamentit të marrë një vendim pozitiv për Shqipërinë, sikundër kanë kërkuar letrat e mëhershme, do të jetë parlamenti ai që do të vendosë. Në të gjitha rastet kur është marrë vendim për Shqipërinë, parlamenti holandez ka sjellë ekipe faktmbledhëse në Shqipëri.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment