I dashur Babagjysh !

0
426

Nga Zhejniva Garo/Regjisore në RTSH

Unë që po të shkruaj jam regjisore në Radio Televizionin Publik Shqiptar ! E di Babagjysh ! E di se , tani që more vesh ku punoj, do vësh në dyshim aftësitë e mia profesionale, formimin tim e ndoshta edhe formulimin e kësaj letre ! (se në RTSH ka vetëm të paaftë )
Të kujtohet Babagjysh? Të kujtohet fillimi i viteve ’80, unë isha e vogel, ndërsa ty ende nuk te ishte thinjur prej vërteti mjekra por unë atëhere nuk i kuptoja truk-et, ndërsa sot e di mirë se kjo mjekër e bardhë të është “peshqesh” prej vërteti, i viteve te tua.
Thonë se më të vegjëlit i mbajnë mend më mire më të rriturit. Babagjysh ! Si e tillë unë nuk e kam harruar padurimin tim teksa prisja të te takoja atje, në ekranin më të bukur në botë-TVSH!

“Ishte”-thotë sot shumëkush, por të lutem, të paktën ti, besomë Babagjysh, vazhdon te jetë ! Ndonëse, një kryefjalë gjysmë burrë e gjysmë grua-POLITIKA, luan telefonatash me kallëzues të tjerë e si cdo lojë të rriturish që përfundon keq, e kanë dhunuar, përdhunuar, shëmtuar, sa zor se njihet!
Të pakten ti Babagjysh, mos bëj sikur nuk di, sikur nuk të kujtohet, sikur nuk e sheh, sikur nuk e njeh!
Sërish si më e vogel që jam, nuk mundem të harroj ëndrrën e cdo fëmije: “Të dal në televizor”. (dikur ëndërr, sot trend ose pathologji shqiptare). Ti e di babagjysh, ëndërrat dikur i shikonim në televizorin pa ngjyra, pa platforma digjitale, por ishin të ëndërrta, atje, në ekranin më të bukur në botë TVSH! Sot, kur i kam kapërcyer të 37 vitet e mia, unë perulem para emrave të nderuar, të shkruar me të bardhë titrash, si flokët e tyre tanimë, dikur idhuj, sot kolegë!
I dashur Babagjysh! Mos e shiko orën, e di se duhet të ikësh, por këto fjalë, veç teje, kujt t’ia them!? Disa prej kolegëve janë të tmerruar nga frika për vëndin e punës, të tjerë struken nën pallto të grira tek mengët-se kjo rrogë i mban, disa heshtin, ndonëse prej kohësh duhet të kishin folur, për të respektuar punën e nderuar që kanë bërë në RTSH dhe jo sepse njeriu duhet të grindet me zjarrin, ujin dhe qeverinë, por për të mos luajtur më thashethemesh e dinjitetesh nëpër kafene apo korridoret e pikëlluara të RTSH-së që vajtojnë duke shkëputur copëza suvaje e copëza shpirti dita ditës! Apo atyre që vërtet janë të paaftë por që askush nuk i luan nga puna, sepse të tjerë luajnë telefonatash duke porositur që ata te jenë aty edhe nëse nuk paraqiten kurrë!
I dashur Babagjysh! Unë që po të shkruaj, jam një presje e vogël në të pafundmen histori të shkruar, të xhiruar e të arkivuar të Radio Televizionit Publik Shqiptar! Përpara meje, do të ishte dashur dikush tjetër, shumë të tjerë të reagonin për nga koha e tyre e jashtëzakonshme dhe e bukur televizive që kanë të arkivuar! Nuk e di pse nuk vazhdojnë ta bëjnë!? Ndoshta janë lodhur tanimë nga refreni i njëjtë i festivaleve, koncerteve dhe eventeve të tjera të RTSH-së, të cilat në të shkuarën u janë dhënë dhe vazhdojnë t’u jepen regjisorëve, skenaristëve, autorëve, skenografëve të jashtëm, jashtë RTSH-së!

Ndal Babagjysh! Merr telekomandën dhe shiko! Shiko emrat në titra në projektet e fryra Babagjysh! Ku janë emrat e punonjësve të RTSH-së!? Nuk po i gjen!? Merri me radhë festivalet Babagjysh! Ah, po ! Një vit Klan-i, dy vjet Klan-i, 3 vjet Kosova, 1 vit Top-i! Eh, mos u mërzit Babagjysh! Por të lutem, kam nevojë për një përgjigje të thjeshtë, më shumë se sa të urtë e të mencur prej Babagjyshi! (Jo për mua, se une e di, po për të gjithë ata që kanë kurajon të hedhin baltë apo squfur mbi RTSH-në apo për ata që nuk pipëtijnë, se ashtu u leverdis më mirë)

KU JANE EMRAT TANË, EMRAT E REGJISOREVE, SKENARISTËVE, SKENOGRAFËVE TË RTSH-së, që të paktën ta mbanim me dinjitet damkën “TË PAAFTE”. ME C’TË DREJTË, DREJTORË TË RINJ E TË VJETËR, FYEJNË, SHESIN, PËRDHOSIN PUNONJËSIT DHE VETË INSTITUCIONIN, DUKE I QUAJTUR TË PAAFTË, DUKE MOS U DHËNË PUNË!!

Ke ftohtë Babagjysh!? Po të ngroh një caj me mollë e kanellë, të të lëvrijë pak gjaku!

I dashur Babagjysh! Ti e di më mirë se unë, njeriu, shpreson gjithmonë se, dikur, gjërat do të ndryshojnë! Po po, këtë gjë kam bërë dhe unë nga një drejtor në tjetrin: KAM SHPRESUAR! NDËERKAQ, KAM PUNUAR! ME KOLEGË QË S’KANË ASGJË MË PAK SE ATA QË DREJTUESIT KANË ZGJEDHUR TË MARRIN NGA JASHTË,(NË MOS KANË MË SHUMË) KEMI NDARË KOHËN TELEVIZIVE, KEMI NDARË PC-TË QE NUK PUNONIN, MUNDESITË DHE PAMUNDESITË (SI NË CDO VEND PUNE), DIJET E NJËRI-TJETRIT, KEMI GABUAR, SE, KUSH PUNON EDHE GABON, KEMI NDARË TRISHTIMIN DHE PIKËLLIMIN TEKSA ASKUSH S’NA KA PYETUR, ASKUSH S’NA KA SHTRËNGUAR DORËN NË SUKSESET TONA! KEMI DITUR TË BËJMË DIFERENCËN MES ATYRE QË JANË, E ATYRE QË HIQEN SE JANË ARTISTË, TË CILËT NUK DINË AS VETË KU I KA CUAR LAKMIA E TË QENURIT “KRIJUES” DUKE NGATËRRUAR PROFESIONET ! E SËRISH, KEMI VAZHDUAR TË PUNOJMË PA BËRTITUR, DUKE NDJERË MIRËNJOHJE EDHE NDAJ SHKALLËVE TË RTSH-së, KORRIDOREVE, POLICËVE PARA DYERVE (EDHE TE DERA E HEKURIT) LULIT DHE SUIT, SANITAREVE, QË DINË T’U BUZËQESHIN EDHE ARROGANCËS SË TOP-istëve të rinj! U JAM MIRËNJOHËSE ATYRE QË KANË QENË MODELI MË I MIRË PËR MUA, QË MË KANË BËRË TA NJOH RTSH-në, DHE TA DUA ME TË MIRAT E TË METAT, E TË KUPTOJ MBI TË GJITHA, C’DO TË THOTË INSTITUCION!!! RTSH, VAZHDOJ TË TË KEM TE ËNDËRRAT E TË SHTRENJTË, SI DIKUR FËMIJË!

Ah, jo Babagjysh! Nuk kam mbaruar ende! Kaq shpejt u mërzite!? E di, por, para se të më kujtosh sensin e masës, ekuilibrin brënda vetes, më lejo të të kujtoj edhe një herë: KOHËN TELEVIZIVE! Gjithkush ka kohën e vet! Edhe ti ke kohën tënde Babagjysh! E nëse kjo KOHA IME e shkruar sot tingëllon si e mlleft’ për dikë, ti ke kilometruar mjaftueshëm KOHË për të kuptuar se, ka një diferencë të madhe mes mllefit dhe dhimbjes! Po, Babagjysh! Më dhëmb pa fund RTSH-ja! Më dhëmb ta shoh kështu, më dhëmb ta dua kështu! Thonë, Babagjysh, se ka nevojë për reformë! “Të bahet dritē! Dhe drita u ba”. Ndodhtë sa me parë kjo reformë! Por nëse dikush vjen i ri në familjen e madhe RTSH, qoft’ i mirëseardhur, vec, të lutem, le të vijë nga dashuria për punën dhe RTSH-në, e jo për vendndodhjen gjeografike meqë Kashari eshtë larg! Nëse dikush vjen i ri në RTSH, ardht’ faqebardhë, për të mos i’a nxirë faqen as vetes e as atij që sjell! E nëse dikush vjen, por nuk e njeh RTSH-në, ta dijë se historia e RTSH-së nuk fillon sot, as para tre muajsh! As para tre vitesh! E nëse në emër të RTSH-së, dikush ngatërron të vdekurit me të gjallët, të mos i ngarkojnë një punë kaq të vështirë në hapat e parë! (se organizatorët nuk bëhen dot brënda ditës autorë).
I dashur Babagjysh! Pas pak, Festivali i Këngës do të nisë në ekranin tim të ëndërrt-RTSH! 55 vite Festival, Babagjysh! S’janë pak! Do të isha lutur të rrije e ta shihnim bashkë, këtu n’divan, nga ku e pashë edhe natën e parë e të dytë me prindËt dhe motrën! Por druhem të të lus dy here! Sidomos, tani që t’u bë urth në stomak nga caji mollë-kanellë!
Nuk gëzoj për askënd që s’ia arrin qēllimit, vetëm qoft’ qëllim i mirë, se në mos sot, herën tjetër do t’ia dalë! Duke punuar! Duke mësuar! Pa bërtitur se do bëjë namin! Se në fakt Babagjysh, c’ish për t’u shpikur, ështe shpikur me kohë në këtë botë! Ne, kemi vetëm një DETYRE: Ta bëjmë mirë atë që të tjerët kanë shpikur!!
Babagjysh, nisu e shko tani, udhën e ke të gjatë, si udha e RTSH-së, plot dhimbje, zhgënjime e suksese! Vec të lutem Babagjysh! I thuaj Babagjyshes se, në këtë kohë të gjatë që të mora, nuk kisha e nuk kam për qëllim as të marr LAJKE në uturakun facebook e as të marr poste drejtuese! Kam vetëm një merak, Babagjysh: EKRANIN MË TË BUKUR E MË TË ËNDERRT NË BOTË-RTSH! Se koha shkon, Babagjysh! E unë po e ndaj sërish me ty thënien e Senekës për KOHËN, teksa lipset që ti të ndash dhurata për të gjithë ne: “Cdokush është mirënjohës e ndjehet borxhli për dhurata të vogla, që vlejnë thuajse asgjë e që mund të shlyhen lehtë, por askush nuk ndjehet i detyruar për kohën që tjetri i kushton atij, pra për të vetmen gjë që ai nuk mund ta shlyejë, qoftë ky dhe njeriu më mirënjohes në botë “.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here