IDMK vë me shpatulla pas murit Pëllumb Xhufin për Kampin e Tepelenës

0
173

Në emisionin “Arena” në TV Ora News të datës 28 mars, historiani Prof. Dr. Pëllumb Xhufi është shprehur se “Kampi i Tepelenës” ka qenë një kamp pune me kushte të mira dhe jo një kamp shfarosës ku, ndër të tjera, kanë vdekur burra e gra dhe mbi 300 fëmijë të mitur. Në këtë mënyrë ka mohuar me cinizëm dhe dashakeqësi të përllogaritur vuajtjet dhe historitë jetësore të gjithë atyre njerëzve që i kanë rrëfyer ato në këto 27 vjet. Është njësoj sikur të çohej një historian i njohur në Gjermani dhe të mohonte Holokaustin!

Deklarata që fillojnë me fjalët “Absolutisht jo!” duke mohuar krime për të cilat ekzistojnë qindra dëshmi të rrëfyera dhe dhjetëra dëshmitarë të gjallë, të dala nga goja e një historiani i cili ka si profesion të shohë, vëzhgojë e të studiojë të gjitha anët e historisë, nuk ndihmojnë as viktimat, as publikun, as shkencën dhe as debatin mbi këtë temë. Deklarata e tij është shoqëruar me një dokument të CIA-s, i cili si në ekran ashtu edhe në botimin në shtyp nuk ka qenë i lexueshëm për publikun. Të nxjerrësh përfundime ekstreme nga një dokument i vetëm, në një kontekst të paqartë, në një kohë që viktimat janë ende gjallë dhe dëshmitë gojore për këtë janë mbledhur, jo vetëm tregon papërgjegjshmëri profesionale, por edhe dashakeqësi.

Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit është një proces shumë i rëndësishëm në Shqipëri, i lidhur ngushtë me viktimat e atij sistemi, të cilat duan të dinë çfarë ndodhi me familjarët e tyre, por edhe me vetë shoqërinë shqiptare. Ky proces pritet të ndihmojë shoqërinë tonë që të nxjerrë mësime nga historia jo fort e largët, në mënyrë që të parandalojë abuzimin me të drejtat e njeriut në të ardhmen. Vetë historianët luajnë një rol të qenësishëm në këtë proces. Prandaj prej tyre pritet paanshmëri dhe profesionalizëm që t’i vlejë kauzës dhe shkencës, jo cinizëm e papërgjegjshmëri.

Njohja e së kaluarës dhe diskutimi i saj luajnë një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e identitetit të një vendi. Gjithçka që lidhet me të është shumë frytdhënëse për brezin e ri dhe për atë Shqipëri që po u lëmë atyre.

Prandaj, gjithë shoqëria duhet të kërkojë njohjen dhe dënimin e krimeve të komunizmit prej shtetit shqiptar dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga të gjithë ata persona që përpiqen të mohojnë krimet e diktaturës!

Për të ardhur keq është edhe fakti i njëanshmërisë së medias në përcjelljen e deklaratave të tilla. Duket se emisioni “Arena” ishte i përgatitur për këtë deklaratë që nuk u tha aq papritur. Media duhet të bëjë kujdes që për hir të komercialitetit të mos kthehet në një podium të njërës apo tjetrës agjendë, por në një forum të paanshëm ku të shkëmbehen hapur mendime sado të ndryshme të jenë ato, në interes të publikut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here