Ikën Çoçlli/ Shansi i fundit, Luftëtari i dorëzohet Novit

0
161

Mesa duket ndeshja ndaj Vllaznisë ditën e shtunë, rezultoi të ishte e fundit për trajnerin Nikolin Çoçlli në krye të Luftëtarit. Tekniku dhe klubi gjirokastrit kanë ndarë rrugët pas humbjes 4-0 në Shkodër, teksa bluzinjtë në këtë vit nuk kanë fituar asnjë ndeshje, duke e bërë thuajse të pamundur mbijetesën.
Kështu, trajneri dhe klubi nuk kishin tjetër zgjidhje, ndërsa tashmë Luftëtari ka kaluar në duart e Neritan Novit. I cili ishte në rolin e zëvendëstrajnerit në Gjirokastër dhe është përzgjedhur duke qenë se e njeh mirë situatën në ekip teksa ka punuar edhe në akademinë e gjirokastritëve.

Neritan Novi është bërë sot trajneri i pestë i sezonit i skuadrës së Luftëtarit, e cila po përballet me probleme të shumta dhe të cilën vetëm matematika e mban ende në elitën e futbollit shqiptar. Pas Dalipit, Duros, Marantas e Çoçllit që dha dorëheqjen së fundmi, ish-futbollisti i gjirokastriteve ulet në pankinë si trajner i parë, i ndërgjegjshëm që ka pak për të bërë realisht për situatën në të cilën gjendet klubi.
“Është shumë e vështirë situata për pozicionin ku ne ndodhemi dhe nuk them se erdha këtu dhe kam shkopin magjik e do ta shpëtojmë ekipin. Por do të bëjmë të pamundurën për të shpëtuar ekipin, do t’i bëjmë hyzmetin. Unë grupin e njoh shumë mirë se kam një vit që punoj me këta çuna, do të punojmë për më të mirën e ekipit, aty ku ne çalojmë”, tha ai .
Ndërkohë, trajneri e di që si objektiv për këtë sezon ka të nderohet fanella e Luftëtarit, në mënyrë që skuadra të jetë dinjitoze deri në fund, me shpresën se ndonjë mrekulli mund të ndryshojë situatën e krijuar.
“Nuk do ta lëmë të na nëpërkëmbin ekipet e tjera fanellën e Gjirokastrës, pasi është fanellë shumë e rëndë që duhet ta kuptojnë shumë mirë këta çunat, dhe nuk do të tolerojmë deri në fund të kampionatit. Ne do të vazhdojmë me punën tonë dhe me besim e shpresojmë pastaj te ndonjë mrekulli deri në fund”, tha Novi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here