Ikën Dvorani i “tmerrshëm” – Le të shpëtojmë njëherë të vetme nga terrori i komploteve. Kemi nevojë për më shumë pozitivitet.

0
219

Nga Roland BEJKO/

Në një postim në faqen e tij në facebook, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, pdagogu Roland Bejko ka komentuar largimin e Ardian Dvoranit nga nga e KLGj-së të cilit i ka mbaruar prej kohësh mandati në krye të Gjykatës së Lartë.

Bejko thotë se ” Ja kemi detyrim brezit të ri që t’i injektojmë ligjërimit publik më tepër pozitivitet dhe besim tek e ardhmja. Na lodhi helmi që shpërndahet për gjithçka e mbi çdo gjë”

Ja statusi i plotë i tij:

“Mendoj se largimi i Dvoranit nga pozicioni që ai dhe konjuktura politike e Kryeministrit e mbante peng prej vitesh në pozicionin e titullarit të Gjykatës e Lartë dhe të Këshillit të Lartë të Emërimeve në Drejtësi , do ti hapë rrugën përshpejtimit të formatimit dhe funksionimit instuticional të sistemit të drejtësisë duke përfshirë jo vetëm rithemelimin e Gjykatës së Lartë, por edhe atë të Gjykatës Kushtetuese.

Dhe nëse kjo ndodh shpejt, mund të ketë një shans gjykimi të drejtë të ligjshmërisë ose jo të dy dosjeve më të nxehta të kohëve të fundit; zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe shembjen e Teatrit Kombëtar.

Nuk dua ti besoj teoritë komplotisto-konspiracioniste me pazare presidentësh e kryeministrash. Po bëhemi një shoqëri paranojake. Pas çdo akti ne zbulojmë një komplot ogurzi që po të ishte vërtet i tillë, do të ishte me pasoja të rënda për të gjithë ne veç atyre që do ta realizonin dhe do të përfitonin personalisht prej saj.

Përkundrazi, nëse analizojmë zinxhirin e ngjarjeve dhe deklaratave zyrtare sipas kronologjisë së tyre, na del një përfundim tjetër llogjik:

1. Sekretari Amerikan i Shtetit M. Pompeo deklaroi dje se e përshëndeste marrëveshjen zgjedhore dhe kërkoi kodifikimin sa më të shpejtë të saj nga palët politike.

2. CDU dhe grupi i partive popullore evropiane kërkuan zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme në një ditë të vetme.

3. Në korrikun e vitit të kaluar zv, ndihmës sekretari amerikan i shtetit M. Palmer deklaroi veç të tjerash në emër të DASH se do të jetë Gjykata Kushtetuese që do krijohet së shpejti ajo që do të japë një përgjigje mbi ligjshmërinë ose jo të votimeve lokale të 30 qershorit.

4. Bundestagu dhe BE kanë kërkuar veç të tjerash që të përfundojë sa më shpejt reforma në drejtësi duke garantuar institucione dhe një drejtësi të pavarur e funksionale për qytetarët.

5. Të gjithë faktorët, janë shprehur së fundmi të shqetësuar për ngecjen për disa, dhe dështimin për disa të tjerë, të reformës në drejtësi, pa të cilën jo vetëm që nuk do kemi drejtësi të pavarur për të gjithë, por as ndarje, balancë dhe kontroll të pushteteve.

6. Pa drejtësi të pavarur, nuk mund të ketë as zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike dhe të gjithëpranuara; nuk do kemi rikthim brenda kornizave kushtetuese të Parlamentit, Demokraci dhe Vetqeverisje lokale, shtet të së drejtës, dhe ekonomi konkuruese tregu të lirë.

Pra, largimi i Dvoranit “të tmerrshëm” të drejtësisë nga kreu i dy institucioneve të rëndësishme, ka të bëjë me korrigjimin e paligjshmërisë së qëndrimit të tij në detyrë përtej afateve kushtetuese prej shumë vitesh.

Ky është dhe varianti që dua të besoj.

Miq, e kemi detyrim ndaj brezit të ri që të injektojmë në ligjërimin publik më tepër pozitivitet dhe besim tek e ardhmja.

Na lodhi helmi që shpërndahet për gjithçka e mbi çdo gjë. U bënë vite që jetojmë nën terrorin e komploteve dhe konspiracioneve me pazare e allishverishe elitash politike.

Ps. Por edhe sikur të mos ketë zgjedhje të parakohshme, durim, ato janë vetëm 10 muaj larg.

E rëndësishme është të ngrihen dhe të funksionojnë sa më shpejt institucionet e munguara të drejtësisë që janë garantet e demokracisë funksionale, zgjedhjeve të lira,si dhe gardianet e të drejtave qytetare.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here