Ilir Meta me lojë të dyfishtë për fuqizimin e vetë elektoral në kurriz të demokratëve

0
103

Nga Fatmir Ali Guda

Ilir Meta me lojë të dyfishtë në funksion vetëm të rritjes së tij elektorale në kurriz të demokratëve.
Nga njëra anë deklaron vullnet për koalicion me “Rithemelimin” për të mbështetur kandidatët e “Primareve” dhe nga ana tjetër pasi harton listat për këshillat bashkiake vetëm me kandidatë isheksponentë të njohur LSI, në as edhe një rast të vetëm ai nuk është marrë me retorikën e vet politike me kandidatët për kryebashkiakë të “Rilindjes” dhe nuk i ka zënë me gojë asnjërin ndër ta në asnjë prej bashkive kryesore të vendit. Pothuajse është harruar anatemimi që kur s’mbahet mend që Ilir Meta i bënte Erjon Veliajt si “zogu” i Tiranës që nxjerr nga goja çdo gjë që i fusin në gojë”. Po ashtu pasardhësi i bashkshortes së tij në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka artikuluar asnjë akuzë ndaj kryebashkiakes Emiriana Sako në Durrës, ndaj kryebashkiakut Llatja në Elbasan, Sotiraq Filos në Korçë, Subashit në Fier, Pjerin Ndreut në Lezhë apo Gjicit në Kukës. Se për kryebashkiakët periferikë si Erjon Isai në Kolonjë fjala vjen, me të cilin ekziston edhe një miqësi e njohur, as që bëhet fjalë as tu ketë përmendur emrin e jo më t’i atakojë për rastet korruptive që ata janë përmendur në media. Një qëndrim ky që stonon dukshëm nga Sali Berisha, i cili në turnin e prezantimit të kandidatëve të “Primareve” në çdo bashki ka akuzuar nominalisht papërjashtim të gjithë kryebashkiakët socialistë në detyrë duke filluar nga Erjon Veliaj.
Por Meta fundja e ka treguar që i di mirë punët e veta dhe në këtë rast ai synon pastër e qartë në objektivin e vet që është rritja elektorale e logos së partisë së tij nëpërmjet hipotekimit në të të një pjese të konsiderueshme antarsisë së demokratëve dhe pas zgjedhjeve të 14 Majit me shifrat e reja të shumëfishuara të mundë të mbetet faktor i rëndësishë politik në vend dhe si i tillë të mundë të risë pazarin për parlamentaret e 2025 gjatë negociatave me dy subjektet kryesore garuese, pa përjashtuar dhe aktin e kapërcimit në koalicion me PS si aleatin e tij natyral të qëndrës së majtë. Si një nuhatës i mirë i pushteteve dhe pragmatist i sprovuar, përtej Edi Ramës së konsumuar dhe të futur në rrugën e dizenjimit si i padëshiruar prej partnerëve sidomos pas skandalit me ish agjentin e FBI Mc.Gonigal, Ilir Metaj sheh Erjon Velian si pasuesin në krye të PS, ndaj dhe para se ti shpallë luftë ka zgjedhur t’i shkelë syrin prapa kuintave në dëm të demokratëve, të cilët i gënjen dëshira për të fituar Tiranë se në krah kanë një aleat që mund tu gjendet në hallin e tyre. Në këto rrethana pyetja që shtrohet është: Sali Berisha nuk ka mundësi ta pikasë sjelljen e dyshimtë të Ilir Metës apo në kushtet e izolimit të tij politik e bën me dashje e dijeni të plotë një marrveshje vrastare me njeriun që i ka vënë syrin një pjese të elektoratit demokrat? Gjasat janë që është e dyta. Sali Berisha me synimin për të mbetur faktor në jetën politike të vendit për arsye të cilat i di vetë ai, ka vendosur të shkojë in extremis duke vënë kështu në risk ekzistencen e elektoratit tradicional demokrat, i cili gjithsesi në kuotat ku ndodhet është i pamjaftueshëm për ta bërë PD forcë fituese në një proçes elektoral.
I qarti ndër më të paqartët në këtë situatë po duket vetëm Ilir Meta, i cili edhe për shkak të raporteve të cënuara me partnerët prej lakimit të emrit të tij në dosje aferash të rënda korruptive vijon të sillet sipas devizës “O Mete për vete”!
Koha dikton që urgjentisht PD më së pari të gjejë gjuhën mes vetes dhe të paraqitet sa më e unifikuar e me një kandidat të vetëm në të 61 bashkitë, për të përcjellë tek shumica e qytetarëve në të gjithë territorin e këtyre njësive vendore frymën e të qënit të një force politike e përgjegjshme dhe e gatshme për të marrë në dorë fatet e qeverisjes së vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here