Prej 15 ditësh, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave pret një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale për të mbrojtur markën B-52 nga kontrabanda e produkteve të paregjistruara në Shqipëri që shiten me anë të mashtrimit si B-52, ndërkohë që ende nuk e ka marrë. Drejtori i DPPI, Elvin Lako, nuk ka gjetur kohën për të kthyer përgjigje në mbrojtje të markës, por në heshtje ka marrë në mbrojtje hyrjen e produkteve të pakontrolluara, kontrabandë dhe të pa regjistruara në Shqipëri të ardhura nga Bavaria NV për llogari të kompanisë shqiptare BM shpk.Nga ana tjetër, Bavaria NV i ka shpallur luftë jo vetëm Shqipërisë së vogël, por edhe Gjermanisë, të cilës kërkon t’i marrë emrin e birrës Bavaria.
Mashtrimi në doganë
Ky fakt bëhet i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila ka deklaruar se kërkesa ndaj DPPI është bërë që me datë 12 mars, ku është kërkuar interpretim ligjor nëse pija energjike 8S2 bie ndesh me vendimet e gjykatës dhe nëse importuesit i njihen të drejtat për markën tregtare 8S2. Kjo kërkesë mësohet se është bërë, pasi më 6 mars, kompania shqiptare B.M. shpk, kompani me seli në Koplik të Shkodrës, ka importuar mbi 6 kamionë me pije energjike 8S2. Kjo pije energjike është pikasur nga Risku i Doganës si cenim i pijes energjike B-52 të mbrojtur me markë në Shqipëri, për të cilën Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka lëshuar një urdhër që në janar të këtij viti. Por kompania importuese ka pretenduar për këtë pije se nuk është B-52, por 8S2 dhe që ka bërë aplikim për markë pranë DPPI-së. Në këto kushte, dogana ka lejuar hyrjen e saj në Shqipëri.
Megjithatë, askush nga dogana nuk ka ngritur pikëpyetje sesi një produkt i ri, i pa-importuar më parë në Shqipëri, mund të vijë me sasi kaq të madhe në një treg të panjohur, edhe pse historia tregon se marka shumë të njohura botërore, nuk kanë bërë eksperimente të tilla në importet e tyre të para në Shqipëri. Por vetëm pasi kompania Arseni Shpk, ka kërkuar në doganë të mbrohet edhe nga produkti 8S2, dogana i ka bërë shkresë Drejtorisë së Pronësisë Intelektuale. Me logjikën e doganës shqiptare rezulton që nëse dikush aplikon në DPPI për marka Coca Cola, Adidas, cigare Marlboro, apo ndonjë brand tjetër të njohur ndërkombëtarisht, pavarësisht nëse është e regjistruar apo jo, dogana do ngrejë traun dhe do e lejojë importimin për tregun shqiptar. Por, aplikimi në DPPI, derisa të merret vendimi nga kjo drejtori, siç është në rastin konkret Bavaria NV zgjat 6 muaj, kështu që për 6 muaj, duke hapur traun dogana sa herë të vijnë kamionë, i bie që miu të bëjë kërdinë. A duhet të ndodhë kjo?!
Heshtja e Pronësisë Intelektuale
Por, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale, edhe pas 15 ditës hesht për këtë shqetësim, duke mos treguar se marka 8S2 nuk ekziston në Shqipëri dhe që është imitim i B-52. Madje, kjo vërtetohet edhe nga faqja zyrtare e markave, ku deklarohet se kjo markë, për të cilën ka aplikuar Bavaria N.V.. Ky aplikim është bërë menjëherë pasi janë regjistruar të gjitha vendimet e gjykatave që rrëzojnë pretendimet e kompanisë Bavaria NV, me qëllim që të vijojë me mashtrimin e konsumatorit, duke sjellë imitime të pijes energjike B52, që është pronë e kompanisë shqiptare Arseni shpk.
Pra, pavarësisht se Bavaria NV sjell në Shqipëri nëpërmjet kompanisë shqiptare BM shpk pije energjike, të cilat në doganë i deklaron si 8S2, në të vërtetë në tregun shqiptar, ato i shet si B52, duke imituar markën që mbrohet nga Arseni shpk. Për këtë arsye, Arseni shpk ka bërë kallëzimet përkatëse edhe pranë institucioneve shtetërore, si Krimi Ekonomik, AKU, Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Autoriteti i Konkurrencës, por askush nuk e ndalon këtë abuzim në tregun shqiptar.
Bavaria NV, në luftë me gjermanët
Gjithsesi, kompania holandeze Bavaria NV duket se nuk e ka për herë të parë që ka probleme me pronësinë e markave të pretenduara prej saj. Nga një kërkim i kryer rezulton se ajo ka probleme edhe me kompani të huaja, jo vetëm për një produkt, por që nga emri që përdor. Siç dihet Bavaria është një land i Gjermanisë dhe sot emri i saj përdoret nga një kompani holandeze, e cila nuk ka asnjë lidhje me Gjermaninë. Për këtë arsye, në Shqipëri, kjo kompani holandeze është në gjyq edhe me kompaninë e njohur ndërkombëtare “BAYERISCHER BRAUERBUND E.V., e cila mbron markën Bavarian Beer (Birra Bavaria), ndërkohë që birra Bavaria prodhohet edhe nga kjo kompani. Pyetja që lind është, kush e ka prodhuar më parë birrën Bavaria, Gjermania apo Holanda?!
Pra, kompania holandeze nuk lufton vetëm me një vend të vogël dhe pa mbrojtje si Shqipëria, ku kërkon të bëjë presion nëpërmjet diplomatëve të saj, por po kërkon të marrë emrin edhe nga birrat gjermane, sikur Bavaria të ishte zonë e Holandës. Pra, beteja që kjo kompani ka hapur me kompaninë shqiptare duket aq e vogël në krahasim, me “luftën e madhe” që po zhvillohet në Shqipëri mes Gjermanisë dhe Holandës. Kjo vërtetohet nga një vendim i Gjykatës së Apelit, më datë 13.12.2016, ku dy kompanitë e huaja përplasen pikërisht për emrin Bavaria. Aktualisht, ky gjyq është kthyer për rishqyrtim në shkallën e parë të Tiranës.
Duke qenë se Drejtori i Pronësisë Intelektuale deklaroi për Fiks Fare se ka pasur presion nga Holanda për negociatat e Shqipërisë me BE-në për kompaninë Bavaria NV, pyetja ngelet se çfarë rruge do të zgjedhë shteti shqiptar, nëse ushtron presion dhe Gjermania, cilën anë do mbajë, atë të Holandës, atë të Gjermanisë, apo atë të drejtësisë?!
Madje, pas denoncimit në Fiks Fare të abuzimeve që bëhen ndaj kompanisë shqiptare, në media po qarkullon dhe një lajm se javën që vjen përfaqësues të kompanisë holandeze dhe diplomatë holandezë do vijnë në Tiranë. Mos vallë do u kërkojnë autoriteteve shqiptare mbrojtje nga gjermanët, duke qenë se tashmë luftën me Arseni Shpk e kanë humbur dhe e vetmja luftë që u ka mbetur është ajo me gjermanët, të cilëve u kanë vjedhur emrin e birrës Bavaria.