Importet e qumështit për 9-mujorin u rritën 27%; Përpunuesit: Prodhimi vendas nuk garanton sasi nga mbyllja e fermave të vogla

0
131

Fabrikat e përpunimit të qumështit vijojnë të rrisin importet e qumështit për produktet e bulmetit, pasi prodhimi vendas nuk garanton sasinë e kërkuar.

Sipas të dhënave të Doganave, importet e qumështit në periudhës janar-shtator u shtuan 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Ndërsa sasia e importeve të qumështit pluhur për muajt janar-shtator u ul 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për 2022, sasia e importeve për qumështin pluhur ra 20% në raport me 2021, sipas të dhënave të Doganave.

Një nga përpunuesit e qumështit në vend pohoi se vijon të marrë qumësht nga importi veçanërisht në Itali dhe Hungari, pasi prodhimi vendas nuk arrin dot të garantojë sasinë e kërkuar.

Ai shtoi se shkak i uljes së prodhimit është nga numri i lartë i fermave të vogla që po mbyllen, ndërsa rritja e fermave të mëdha është më e vogël se mbyllja e te vegjëlve.

Xhevahir Alushi i cili zotëron një fermë të vogël në zonën e zall Herrit në Tiranë tha për Monitor për shkak të mospërballimit të kostove ka ulur numrin e krerëve të lopëve nga 10 në 7 lopë.

Alushi veçoi se kostoja për mbajtjen e kafshëve vijon të mbetet e lartë që nga blerja e lëndëve ushqyese, pagesat e punëtorëve për tokën që variojnë nga 2,000 deri 3,000 lekë dita, ndërsa rritja sërish e çmimit të shitjes së qumështit do të ulte kërkesën.

Fermer i qumështit prej 22 vjetësh, Alushi nënvizoi se ulja e numrit të lopëve në fermë nisi që nga viti 2022 ku çmimi i topit të barit dhe plehut për tokën gati u dyfishuan.

Aktualisht qumështi i lopës së prodhuar nga fermeri iu shitet fabrikave përpunuese me çmim 80 deri 90 lekë për litër me TVSH. Në tregjet e huaja përpunuesit pohojnë se po e gjejnë qumështin me çmim deri 76 lekë me TVSH.

Trendi i rritjes së importeve nisi që në 2019, kur u zbatua skema e ndryshuar e rimbursimit të TVSH-së, nga shkalla 20% zbriti në 6%. Sipas të dhënave të Doganave, sasia e importeve të qumështit në 2019 u rrit 30% krahasuar me 2018.

Fabrikat e përpunimit të qumështit më tej u penalizuan edhe nga masat e tjera fiskale që nisin zbatimin nga 1 janari 2022, si heqja e skemës së TVSH-së së rimbursueshme, vendosja e TVSH-së 10% tek inputet bujqësore nga 0 që ishte më parë çka solli reduktim të sasisë së qumështit të prodhuar nga fermeri për mbajtjen e kafshëve.

Kryetari i dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka para hyrjes në fuqi të masave të reja fiskale paralajmëroi se për të përballuar kërkesën me mallra bulmeti, përpunuesit do të importojnë qumësht nga jashtë.

“Një masë e tillë sjell ndikim negativ edhe te përpunuesit e qumështit, pasi që prej fillimit të 2022, po bie interesi i fermerëve. Efektet negative që po krijohen në rritjen e kostove të prodhimit të qumështit, të lëndëve të para ndikojnë në shtimin e produkteve të importuara, që konkurrojnë produktin vendas”, pohoi më herët z. Jaka.

Edhe te kompanitë përpunuese, ndryshimet fiskale krijuan pasiguri në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, duke favorizuar importin e produkteve të rajonit.  Monitor 

Shkruaj nje koment