Inflacioni i lartë, gjatë muaji gusht rritje e madhe e çmimeve

Inflacioni nuk njeh të ndalur për konsumatorin shqiptar. Ndikimi i lartë prej produkteve të importit dhe ekspozimi ndaj luhatjeve në tregjet ndërkombëtare kanë bërë që së fundmi me matjen e metodës së Eurostat, inflacioni në muajin gusht të kapërcejë në nivelin 2.7%, më i larti që prej vitit 2017.

Matjet nga Eurostat regjistruan kështu një rritje më të lartë të çmimeve në vendin tonë në krahasim me matjet nga metoda kombëtare e INSTAT që raportoi inflacion 2.4% në gusht, duke iu afruar objektivit të Bankës së Shqipërisë në 3%.

Sipas metodologjisë së Eurostat rritja më e mahe e çmimeve prej 4,9% vërehet në grupin ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’, pasuar nga grupet ‘Komunikimi’ me 2,8%, ‘Transporti’ dhe ‘Hotele, kafene dhe restorante’ me 2,3% secili, ‘Pije alkoolike dhe duhan’, ‘Shëndeti’ dhe ‘Argëtim dhe kulturë’ me 1,1% secili, ‘Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji’ me 1,0%, ‘Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje’ me 0,7% dhe ‘Veshje dhe këpucë’ me 0,3%.

Ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ishte 0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’. Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Vala e rritjes së çmimit te ushqimeve është ndikuar nga ndryshimet që po ndodhin në bursat ndërkombëtare me lëndët e para që importohen në vendin tonë.

Sa herë që ka një ndryshim në vendet e origjinës, për shkak edhe të kostove të larta të transportit, rritja e çmimeve reflektohet menjëherë në tregun e brendshëm dhe direkt në xhepin e konsumatorit shqiptar.

Rritja e lartë e çmimeve të shportës me këto ritme pritet të sjellë një frenim të konsumit në të ardhmen për shkak të mos përballimit të kostove familjare.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment