Investimet e huaja në sektorin financiar janë rritur me 70% në shtatë vitet e fundit

0
127

Pas vitit 2015, sektori financiar dhe ai bankar në vend u përball me largimin e disa prej investitorëve të rëndësishëm të huaj.

Ky proces solli një përqendrim të sektorit bankar dhe rritjen e peshës së kapitalit vendas në të. Por, pavarësisht këtij procesi, stoku i investimeve të huaja në sektorin bankar ka vazhduar të rritet.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, stoku i investimeve të huaja në sektorin financiar arriti në 1.39 miliardë euro, në rritje vjetore me 16.6%. Krahasuar me vitin 2015, kur nisi procesi i largimit të disa prej investitorëve të rëndësishëm të huaj (kryesisht në sektorin bankar), stoku i investimeve të huaja direkte është rritur me 70%.

Aktualisht, sektori financiar është sektori i tretë për nga vlera e investimeve të huaja direkte të akumuluara, pas energjetikës dhe industrisë nxjerrëse. Investimet në sektorin financiar përbëjnë rreth 12.8% të stokut total të investimeve të huaja direkte.

Kriza e kredive me probleme që nisi në vitin 2009 dhe kulmoi në vitin 2015 solli një përkeqësim të performancës së sektorit bankar. Paralelisht, shtrëngimi i kuadrit rregullator të mbikëqyrjes për grupet bankare të Eurozonës solli një rritje të ndjeshme të kostos së kapitalit.

Këta faktorë i shtynë disa prej investitorëve të rëndësishëm nga Eurozona të tërhiqeshin nga tregjet e Europës Juglindore. Kjo solli largimin nga Shqipëria të grupeve të rëndësishme bankare, si Societe Generale, Credit Agricole, Banka Kombëtare e Greqisë, Grupi Bankar i Pireut dhe Alpha Bank.

Edhe Raiffeisen Bank në disa raste ka hyrë në negociata për të diskutuar shitjen e filialit të saj në Shqipëri, por deri tani këto negociata nuk janë finalizuar me sukses. Largimi i këtyre grupeve të rëndësishme bankare është shoqëruar me një rritje graduale të peshës së investitorëve lokalë në tregun bankar. Por, pavarësisht kësaj tendence, vlera e kapitalit të huaj të investuar në sektorin bankar ka vijuar të rritet, madje edhe me ritme të shpejta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here