Irani kërcënon Shqipërinë me sulme kibernetike pas dëbimit të dy diplomatëve iranianë

P as dëbimit të dy diplomatëve iranianë, ekspertët shohin një rrezik të shtuar për sigurinë në Shqipëri. Sipas tyre, më të mundshme janë sulmet e izoluara kibernetike apo terroriste.
Shqipëria dëboi në mesin e javës së kaluar (15.01.2020) dy diplomatë iranianë, të identifikuar nga autoritetet si Mohammad Ali Arz Peimanemati and Seyed Ahmad Hosseini Alast. Ata u dëbuan “për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, shkroi në faqen zyrtare në Facebook, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Rreth një vit më parë, në dhjetor 2018, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër për „dëmtimin e sigurisë kombëtare”.
Vendimi i Shqipërisë, u përshëndet të premten, (17.01.2020) edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit,(DASH).”Ne përgëzojmë veprimin e qeverisë së Shqipërisë për të dëbuar dy të ashtuquajturit diplomatë të Iranit. Regjimi Iranian vazhdon të përdorë objektet e tij diplomatike në Europë dhe vende të tjera si mbulesë për të komplotuar sulme terroriste, kërcënuar dhe spiunuar iranianët që jetojnë jashtë Iranit”, theksoi zëdhënësja e DASH, Morgan Ortagus në një postim në twitter.
Rreziku i akteve terroriste të regjimit të Iranit
Por prania e muxhahedinëve disidentë është bërë shkak për acarim të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Iranit dhe Shqipërisë. Ajo ka sjellë së fundi edhe përfshirjen indirekte të Shqipërisë në konfliktin mes SHBA dhe Iranit.
Në fillim të këtij muaji, lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, drejtoi gishtin ndaj Shqipërisë, duke iu referuar asaj si “një vend i vogël, por i djallëzuar evropian, ku elementët amerikanë komplotojnë me tradhtarët iranianë dhe planifikojnë sulme kundër Republikës Islamike”. Vetëm 3 muaj më parë, në tetor, Policia e Shtetit deklaroi, se kishte shkatërruar disa sulme të planifikuara terroriste të qeverisë iraniane kundër grupit të muxhahedinëve disidentë iranianë të strehuar në Shqipëri.
Këta janëanëtarë të Organizatës Popullore të Muxhahedinëve të Iranit, të njohur me inicialet MEK (Mojahedin-e-Khalq), opozita politike e regjimit klerik të Iranit. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe aleat i ngushtë me SHBA, ka mirëpritur në 6 vitet e fundit rreth 3 mijë anëtarë të kësaj organizate. Zhvendosja e tyre në Shqipëri, nga bazat amerikane në Irak, ku u rrezikohej jeta nga sulmet me raketa të qeverisë iraniane, është bërë në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare, të nënshkruar në vitin 2013, me bazë motive humanitare.


Kryeminisri i Shqipërisë, Edi Rama e sheh strehimin e muxhahedinëve si “një risk që i bën nder Shqipërisë, që është në vazhdën e traditës shqiptare” duke lënë të kuptohet strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku asnjë prej tyre nuk iu dorëzua nazistëve. Ai pranon që Shqipëria i ka strehuar disidentët iranianë “në funksion të aleancës strategjike dhe të padiskutueshme me SHBA.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment